Një funksionar dhe një deputet e padisin shtetin për dy milion euro


Para trembëdhjetë viteve në kejin e lumit Vardar, në afërsi të Kalasë së Shkupit duhej të fillonte ndërtimi i komplekseve hotelierike dhe objekteve të biznesit. Vendet janë shitur, por deri më sot investitorët nuk kanë filluar të ndërtojnë. Nga viti 2007 për tre parcela është ngritur procedurë gjyqësore. Gjashtë vjet shteti i ka paditur pronarët, ndërsa nga viti 2015 u ndryshuan rolet në procesin gjyqësor, tani pronarët e parcelave e padisin shtetin. Ky është njëri nga proceset e gjata që po zhvillohet para gjykatave. Në këtë ngjarje janë të përziera politika dhe pushteti.

Pronari i dy parcelave është nënkryetari i Qytetit të Shkupit, Enver Maliqi, ndërsa parcela tjetër është e deputetit të BDI-së, EjupAlimit. Ata kërkojnë nga shteti që të u’a kthej 2.167.000 euro, gjegjësisht, 1.254.000 euro, Maliqit dhe 913.000 euro, Alimit.

Parcelat janë blerë 8 ditë para zgjedhjeve

Beteja për token shtetërore filloi para zgjedhjeve më 5 korrik të vitit 2006, kur në pushtet ishte koalicioni LSDM-BDI. Me ministrinë e transportit dhe lidhjeve udhëhiqte Xhamali Mehazi, i cili më 23 maj 2006 hapi konkurs për tre lokacione për ndërtimin e komplekseve hotelierike në komunën Qendër, ndër Kalanë.

Më 8 qershor Enver Maliqi permes kompanisë së tij ,,Gemak-trade” bleu dy parcela me sipërfaqe prej 11,153 metrakatrorë,  ndërsa parcelën tjetër prej 5.225 metra katror si ofertues më i mirë e bleu Ejup Alimi.

Në ankand morën pjesë më tepër kompani, ndër të cilat: ,,Divelopgrup” e Aleksandar Ivanovskit, i njohursi Alek Teranova, ,,Slavijaspektar” nga Ohrid, ,,Unijafinansiska”, si dhe disa persona fizik. Por fitoi tandemi Maliqi dhe Alimi.

Maliqi njërën parcelë e bleu me çmim prej 3.750 denarë për metër katror, ndërsa të dytën për 10.000 denarë për metër katror. Alimi pjesën e tij e morri me çmim prej 10.50 denarë për metër katror. Tetë ditë para zgjedhjeve, më 27 korrik të vitit 2006, ministri Mehazi me afaristin Maliqi dhe me bashkpartiakin e tij nga BDI, Alimin, lidhën kontratë për tokën. Plani i Maliqit është që të ndërtohen tre hotele, qendra tregtare dhe restorane.

Ministria kërkon shkëputjen e marrëveshjeve, BDI sërish kthehet në pushtet

Planet e dy investitorëve nuk u realizuan  me ndryshimin e qeverisë. Në zgjedhjet e vitit 2006 fitoi VMRO-DPMNE dhe për  partner të  koalicionit nuk e zgjodhi BDI-në, por nga blloku shqiptar në qeveri hyri  Partia Demokratike Shqiptare e  Menduh Thaçit. Pozitën e ministrit për transport e morri VMRO-DPMNE, dhe në vendin e Mehazit erdhi Mile Janakievski.

Disa muaj më vonë, më Mars të vitit 2007,avokati i përgjithshëm kërkoi nga Ministria e transportit të ndërpret kontratat me Maliqin dhe Alimin, sepse ato janë realizuar në kundërshtim me Ligjin për parandalimin e Korrupsionit, përkatësisht gjatë fushatës zgjedhore dhe tetë ditë para zgjedhjeve më 5 korrik. Fillon procedura gjyqësore-shteti kundër ,,Gemak Tarde,, të Maliqit dhe Alimit.

Pas një viti, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vitin 2008 ndërrohet qeveria. BDI sërish hyn në qeveri, këtë herë si partnerе е koalicionit të VMRO-DPMNE-së. Procedura gjyqësore për parcelat nën Kala arriën deri në Gjykatën Supreme, e cila në janar të vitit 2013 sjell vendim në favor të Maliqit dhe Alimit  dhe ata shënohen si pronarë të tokave.

Ndërkohë biznesmeni Enver Maliqi, para se ta fitojë padinë, bëhet një nga pronarët e kompleksit “Park Rezidens” i cili gjendet përballë parcelave të diskutueshme, por në anën tjetër të Vardarit. Ky është objekti i njohur si Muri Kinez, menjëherë pas Stadiumit të qytetit. Derisa ministër ishte Janakieski, godina e cila duhej të rrënohej u legalizua dhe në vitin 2014 filluan të shiten apartamentet e para dhe lokalet afariste.

Pasi kompleks rezidencial dhe komercial është zhvilluar, Maliqi dhe Alimi, në vitin 2015, vendosën që ta padisin shtetin, që t’ua kthejë paratë, ndërsa ata t’i kthejnë parcelat. Arsyeja është se ndërkohë Plani i detajuar urbanistik, për këtë pjesë të Qendrës, ka ndryshuar dhe ata s’mund të ndërtojnë tre hotele. Sipas planit të ri, mund të ndërtohet vetëm një hotel.

Në janar 2018 është miratuar aktgjykimi i shkallës së parë, në favor të paditësve, përkatësisht Gjykata Themelore Shkup 2 e urdhëron Ministrinë e transportit t’ia ktheë paratë kompanisë “Gemak” të Maliqit. Duke pasur të qartë rezultatin e procesit gjyqësor, Avokatura shtetërore 2.1 milionë eurot, që duhet t’i kthejë i ka vendosur në depozitën gjyqësore me qëllim për të parandaluar shpenzime shtesë për shkak të kamatës.

Muajin e kaluar ,,Gemak” ka pranuar konfirmim të aktgjykimit të shkallës së parë edhe nga gjykata e apelit, ndërsa tani pritet edhe rezultati për dy parcelat tjera, për çka duhet të vendosë gjykata e shkallës më të lartë. Kur e pyetëm zëvendësin e Shilegovit përse ka hequr dorë nga ideja për të ndërtuar në anën tjetër të Vardarit, ai tha shkurtimisht:

“Nuk do të doja të komentoj për momentin, sepse procedura gjyqësore ende s’ka përfunduar”.

Deklaratë nuk deshi të jep as biznes-partneri i tij, Alimi. Deputeti e ka lajmëruar tokën në listën e tij të pronësisë në Komisionin për Anti Korrupsion, ndërsa parcelat e Maliqit janë të regjistruara në emër të kompanisë së tij “Gemak Trade”.

Ky rast i gjatë gjyqësor që ka zgjatur tashmë trembëdhjetë vjet është përmendur edhe në raportin e Entit Shtetëror për revizion për “Efikasitetin e politikave dhe masave në menaxhimin e tokës ndërtimore”. Auditori shtetëror paralajmëron se kjo ka pasoja të dëmshme për të dyja palët. Për pronarët e parcelave të cilët nuk mund të realizojnë planet e tyre, si dhe dëmi në buxhet duke pasur parasysh se paratë për parcelat e blera duhet të kthehen me kamatë.

Sipas Planit detal urbanistik aktual të komunës Qendër, për pjesën përgjatë lumit Vardar nën Kala, është paraparë ndërtimi i disa hteleve. Të gjitha lokacionet janë shitur nga viti 2006 deri në vitin 2014. Mediat para disa vitesh raportuan se hotel në stilin barok nën Kala do të ndërtojë edhe lideri i VMRO-Partisë popullotr, Lubço Georgievski, i cili ishte i lidhur me firmën HM Invest Grup e cila e fitoi ankandin për marrjen e një parcele me çmim prej 44 euro për një metër katror.

Biznesmen ose politikan

Enver Maliqi, një nga qytetarët më të pasur të Maqedonisë, hyri në politikë  një vit e gjysmë më parë ku dhe u emërua zëvendës kryetar i Qytetit të Shkupit. Ai shpesh thotë se nuk është anëtar i asnjë partie politike dhe se funksionin e ka marrë për shkak se ka lindur shkupjan dhe dëshiron t’ia kthejë borxhin qytetit ku është rritur dhe jeton. Por, në zgjedhjet e fundit lokale ai ishte i pozicionuar lartë në BDI dhe ishte i dyti në listën e këshilltarëve të kësaj partie për kuvendin e Shkupit. Thotë se ka pasur më shumë oferta, por se kishte vendosur për BDI-në.

“Unë nuk jam politikan, por biznesmen i cili pa modesti të rreme, din mirë si të menaxhojë gjërat, kështu që unë do të provoj ta bëj të njëjtën edhe me qytetin ku kam lindur. Me përvojën, kontaktet dhe ndikimin tim shpresoj që t’i ndihmoj qytetit dhe të gjithë qytetarëve në kërkim të një jete më të mirë urbane. Nëse i’a dal vetëm pak të kontribuoj që qyteti të bëhet i pastër, i gjelbër, me parqe dhe me infrastrukturë të përmirësuar, do të vlerësoj se e kam përmbushur misionin. Dhe fundja, në politikë, në këtë pozitë, nuk hyra për të marrë, por për të dhënë”, ka thënë Maliqi për gazetën “Nezavisen Vesnik” pasi u emërua zëvendës-kryetar i Shkupit.

Disa muaj më parë, Enver Maliqi fitoi edhe një tjetër titull, gjegjësisht Qeveria e pranoi propozimin e Meksikës për emërimin e Maliqit si konsull të saj nderi në vend.

Maja Jovanovska