Ndotja e ajrit në Shkup, Qeveria miratoi masa për parandalim
Ne seancën e mbrëmshme qeveritare të Maqedonisë janë miratuar disa masa të cilat priten të realizohen gjatë periudhës së ardhshme si mënyrë e parandalimit të ndotjes së ajrit në Qytetin e Shkupit. Siç njoftoi sot në takim me gazetarët, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski, masat e parpara duhet të realizohen dhe vihen në zbatim deri më vitin 2021. Boshnjakovski bëri të ditur se masat kanë dalë pas një analize të bërë nga Ministria e Ekologjisë dhe Organizata Ekologjike, “Eko Svest” (Eko vetëdije). “Sipas analizës së bërë paraprakish, masat parashohin kthim të amvisërive në sistemin e ngrohjes qendrore. Ndryshime ligjore për përgjegjësitë e investuesve gjatë marrjes së lejes për ndërtim që të propozojnë projekt për mënyrën e ngrohjes së amvisërisë. Parashihet edhe stimulime dhe subvencione për lloje të reja të ngrohjes si dhe ndalesë e ngrohjes me qymyr në afat deri më vitin 2021. Parashihet edhe gazifikimi por për detaje më të hollësishme do të njoftojnë nga Ministria e Ekologjisë”, tha Boshnjakovski. Në fushën transportit parashihet, blerje të autobusëve ekologjik, rregullim të komunikacionit, ndryshim të llojit të lëndëve djegëse të veturave dhe kategorizim i veturave në bazë të vitit të prodhimit të veturave. Të gjitha këto masa, siç njoftuan nga Qeveria e Maqedonisë do të parashihen me ligj.