MPJ: Nuk ka zgjerim të ekipit negociues në takimin me Nimicin
Informacioni i transmetuar në më shumë media lidhur me pjesëmarrjen e më shumë personave në procesin e negociatave, jashtë ekipit negociues është jo i saktë, deklaruan për MIA-n nga MPJ.
Siç u theksua paraprakisht nga MPJ, në Bruksel më 12 dhjetor 2017 në negociatat për tejkalimin e dallimeve për emrin do të marrin pjesë negociuesi Vasko Naumovski, ambasador i Republikës së Maqedonisë në SHBA së bashku me një diplomat të MPJ-së. Formati i njëjtë i cili është dakorduar me negociuesin Methju Nimic do të jetë edhe prej palës greke, gjegjësisht negociues plus diplomat.
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë do t’i informojë mediat, ndërsa me atë edhe opinionin për hapat e mëtejmë për këtë çështje të rëndësishme dhe të ndjeshme e cila është me interes të lartë shtetëror”, theksojnë për MIA-n nga MPJ.