Kush e rrëzoi regjimin?


Robert Nesimi

  1. Një vit e gjysmë pas zgjedhjeve parlamentare 2016 po bëhet veçmë irrituese kur aktorë të rëndësishëm politikë vazhdojnë të shtirren se nuk e kanë kuptuar se çfarë në të vërtetë ndodhi në ato zgjedhje. VMRO për shembull vazhdon të pretendojë se ka fituar shumicën dhe se ajo pa të drejtë sot gjendet në opozitë. BDI poashtu vazhdon të pretendojë se është fituese absolute te kampi shqiptar dhe se ka të drejtën ekskluzive për të folur në emër të shqiptarëve, sepse paska fituar shumicën e votës së tyre. Në kësi iluzionesh qëmoti është futur edhe SDSM, të cilës ju duk e përshtatshme të harrojë faktin se nuk fitoi në zgjedhje. Ajo madje i jep krahë BDI-së duke tentuar të arsyetojë koalicionimin pasi kështu paska qenë vullneti i votuesve shqiptarë, siç tha vetë kryeministri Zaev në intervistën e tij të fundit. Dhe me gjithë këto pretendime dhe vendosje të gjërave në kësi prizmash, është bërë e lehtë të harrohet se kush në të vërtetë e rrëzoi regjimin.

Për t’u përgjigjur pyetjes nga titulli, normalisht duhet t’iu kthehemi numrave nga zgjedhjet, që rrëfejnë për një realitet krejtësisht tjetër. Rishikimi i tyre menjëherë hedh poshtë pretendimet për legjimitet absolut të SDSM tek maqedonasit, përkatësisht BDI tek shqiptarët. Natyrisht për këso pyetjesh partnerët e koalicionit tani preferojnë t’i referohen konceptit qytetar, ku nuk ka vend për legjitimitet të ndarë në njësi etnike, përkundër parimit të deridjeshëm fituesi me fituesin. Por as këtu ata nuk kanë bërë hesapet se pas largimit të Aleancës koalicioni nuk ka as legjitimitetin qytetar. E vërteta lakuriqe, ashtu siç e tregojnë shifrat, është se regjimin nuk e ka rrëzuar koalicioni i ri SDSM-BDI (tek e fundit BDI vetë ishte pjesë e regjimit), por se atë e kanë rrëzuar votuesit shqiptarë me votën që i kanë dhënë Aleancës, Besës dhe SDSM-së. T’i shohim çfarë thonë shifrat e zgjedhjeve për çdo aspekt me rradhë.

  1. Regjimi humbi në zgjedhje. Sado që të pretendojë VMRO ndryshe, regjimi nuk fitoi në zgjedhje. Është e vërtetë se partnerët VMRO-BDI së bashku fituan 61 deputetë, por kjo është rezultat i sistemit kapriçoz zgjedhor ku mandatet llogariten të ndara në 6 njësi zgjedhore dhe një numër i madh votash digjen. Legjitimiteti i vërtetë, ai i qytetarëve që dhanë votën për secilën parti, ishte për ndryshime. VMRO dhe BDI së bashku fituan nja 535 mijë vota, ndërsa opozita rreth 611 mijë. Vota e zgjedhjeve pra ishte 53%-47% për ndryshime.
  2. Qeveria e re kishte legjitimitet. Pretendimi i ardhshëm i VMRO-së ishte se pushteti i ri nuk gëzon mbështetjen e shumicës dhe se zgjedhja e kryetarit të parlamentit dhe më pas qeverisë nuk ishte legjitime. Në të vërtetë koalicioni i ri kishte legjitimitet të dyfishtë. Së pari ai legalisht siguroi 62 deputetë në parlament. Koalicioni SDSM-BDI-Aleanca dhe dy blloqet tjera që ju bashkangjitën atij, poashtu kishin rreth 590 mijë vota në zgjedhje, përkundër 555 mijë votave të partive që mbetën në opozitë. Pra qeveria kishte mbështetje të 52% të votuesve, përkundër 48% të opozitës së re.
  3. Pas largimit të Aleancës qeveria humbi legjitimitetin. Kur jemi në këtë pikë duhet thënë se qeveria e re humbi legjitimitetin politik në momentin kur u largua Aleanca. Me Aleancën në opozitë qeveria gëzon mbështetje të vetëm 48% të votuesve, ndërsa opozita e tashme ka 52%. Pra përveç humbjes në aspektin moral, pasi nga qeveria u largua partia kyçe për shembjen e regjimit dhe kryetari i së cilës desh vdiq gjatë sigurimit të shumicës, qeveria me këtë hap humbi edhe legjitimitetin politik. Retorika e qeverisë për ndryshime dhe për një shoqëri të përbashkët për të gjithë ra në ujë pas largimit të Aleancës.
  4. SDSM nuk fitoi te maqedonasit, ata votuan pro-regjimit. Pasi SDSM po përsërit pak si shpesh vullnetin e qytetarëve për ndryshime, madje duke guxuar të interpretojë edhe vullnetin politik të shqiptarëve, është e rrugës t’a përkujtojmë se ajo nuk fitoi në zgjedhje. VMRO morri 450.000 vota, ndërsa pa shqiptarët që votuan për SDSM, partitë tjera maqedonase morrën bashkërisht rreth 440.000 vota. Pra te blloku maqedonas vullneti ishte 51%-49% për të ruajtur regjimin. Është e qartë se sikur mos të ishin shqiptarët, VMRO akoma do të ishte në pushtet.
  5. BDI nuk fitoi te shqiptarët, ata votuan kundër regjimit. Krejtësisht i kundërt ishte rezultati tek votuesit shqiptarë. BDI fitoi vetëm 86.000 vota, ndërsa rreth 165.000 shqiptarë votuan opcione tjera, duke përfshirë edhe SDSM-në. Pra votuesit shqiptarë votuan 66%-34%, apo gati 2-1, për të rrëzuar regjimin.
  6. Pra si u rrëzua regjimi? Është e qartë se SDSM në zgjedhjet e vitit 2016 nuk kishte fuqi që të rrëzojë VMRO-në nga pushteti. Në fakt pa ato 40.000 vota shqiptare ajo nuk do ishte as afër dhe pa ta humbja e SDSM do të ishte shumë më e thellë. Ndërsa në bllokun shqiptar mbizotëroi një frymë krejtësisht tjetër. Disponimi i votuesve shqiptarë ishte rrënjësisht kundër regjimit dhe ata ja arritën t’a rrëzojnë regjimin ngase partitë opozitare fituan ku e ku më shumë vota se BDI. Madje votuesit shqiptarë për herë të parë në histori dhanë vota edhe për SDSM-në, vetëm e vetëm që t’a barazojnë atë me VMRO-në.

Sjellja e mëtejshme e partive shqiptare ishte po në këtë vijë. Ata e kuptuan mirë mesazhin e votuesve dhe partitë opozitare menjëherë deklaruan se në asnjë mënyrë nuk do të bënin qeveri me VMRO-në. BDI-së iu desh pak më tepër kohë, por e përballuar me trysninë e opinionit publik dhe pjesës më të madhe të bazës së saj, edhe ajo në fund nuk kishte zgjidhje tjetër përpos t’ia kthejë shpinën partnerit të saj të deridjeshëm në pushtet.

Rrethanat politike dhe sistemi zgjedhor deshën që një pjesë e regjimit të përmbyset dhe qeverinë t’a formojnë SDSM me BDI, edhepse vullneti i elektoratit maqedonas dhe shqiptar ishte krejtësisht i ndryshëm. Dikujt tash mund t’i duket më e përshtatshme të ndërtojë rrëfime të tjera për të arsyetuar koalicionet e çuditshme ku po futet, por realiteti mbetet ky. Regjimi ra vetëm falë atyre 40.000 shqiptarëve që ja dhanë votën SDSM-së dhe partive të reja Aleanca dhe Besa që fuqimisht refuzuan çfarëdo bashkëpunimi me VMRO-në në kohën kur bëhej qeveria.