Ja sa banorë ka Maqedonia


Maqedonia në janar të vitit 2018 ka pasur 2.075.300 banorë, që është rritje në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar kur ka pasur 2.073.700 banorë, tregojnë të dhënat e hetimeve për popullimin që ka publikuar Zyra e statistikave të BE-së – Eurostat.

Maqedonia nuk ka realizuar regjistrim të popullsisë prej vitit 2001. Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostol Simovski, në një intervistë për AIM tha se regjistrimi i ri i popullsisë do të bëhet në vitin 2020 në periudhën prej 1 deri 21 prill, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Sipas Eurostat, në Bashkimin Evropian në janar të vitit 2018 janë numëruar 512.6 milionë banorë. Rritja e popullsisë prej 1.1 milionë banorë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ka të bëjë me migracionin.

Gjermania është vendi me më shumë banorë në BE me 82.9 milionë. Ndërsa më pas vijnë Franca me 67.2 milionë, Britania e Madhe me 66.2 milionë, Italia me 60.5 milionë, Spanja me 47.7 milionë dhe Polonia me 38.0 milionë banorë.