Gjuhët, Kadriu: Propozimet e Venecias të përfshihen në ligj


Ligji për përdorimin e gjuhëve mund të pësojë ndryshime në rast se dërgohet për shqyrtim në Komisionin e Venecias. Profesori universitar, Bekim Kadriu thotë se shtetet i kërkojnë rekomandime profesionale Komisionit për ligje të ndjeshme rëndom para miratimit në mënyrë që t’i inkorporojnë rekomandimet në ligj. Megjithatë edhe në rastin tonë, rekomandimet e mundshme nuk mund të injorohen.

“Në situatën tonë kur Ligji është miratuar nga ana e Kuvendit dhe pritet që të hyjë në fuqi dhe të fillojë zbatimi i tij, nuk është e përjashtuar mundësia që ligji të dërgohet në Komisionin e Venecias dhe Komisioni i Venecias të japë mendime profesionale. Por pastaj mendimet profesionale, rekomandimet e Komisionit do të duhet të inkorporohen në ligj duke bërë ndryshime të ligjit në një procedurë kuvendare tjetër”, u shpreh profesor universitar Bekim Kadriu.

Në pyetjen se cilat dispozita të Ligjit për përdorimin e gjuhëve mund të jenë më kontestuese, Kadriu me përgjigje:

“Pyetjet mund të lidhen me përputhshmërinë e ligjit me Kushtetutën; përputhshmërinë e ligjit me dispozitat e ligjeve tjera sidomos me ligjet që miratohen me 2/3 ndërsa Ligji për përdorimin e gjuhëve u miratua me shumicë, eventualisht mos ketë ndonjë kundërthënie në këtë drejtim; sa dispozitat ligjore janë të qarta dhe të zbatueshme në praktikë dhe kështu me radhë”, u përgjigj ai.

Kërkesa për ta shqyrtuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve në Komisionin e Venecias erdhi nga ana e Komisionit Evropian menjëherë pas miratimit të tij në Kuvend. / Alsat-M