Ekspertët shprehen optimist për zgjidhjen e çështjes së emrit

Ekspertët vlerësojnë se takimi i të mërkurës në Nju Jork është historik për shkak se pritet t‘i vendosë themelet e zgjidhjes së emrit. Ndërkaq vizita e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg në Shkup menjëherë pas negociatave të Nju Jorkut është sinjal se pas zgjidhjes së kontestit shumëvjeçar me Greqinë, Maqedoninë e pret anëtarësimi në NATO.

“Nëse zgjidhjen e kontestit e supozojmë të jetë një ngjarje historike atëherë mendoj se ky propozim definitivisht është një i tillë për shkak se synimi i tij do të jetë përfundimi i këtij kapitulli historik për Republikën e Maqedonisë. Mendoj që ardhja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s nuk është e rastësishme pikërisht në këtë moment. Pra në një mënyrë është e koordinuar dhe jep mbështetje për procesin, pra që ka të bëjë me zgjidhjen e kontestit. Po ashtu jep mbështetje edhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke e ditur se pikërisht kontesti me Greqinë ka qenë pengesa për anëtarësim në NATO”, deklaroi Bekim Kadriu, profesor universitar.

Për ish diplomatin, Risto Nikovski madje tashmë negociatori Metju Nimic e ka në “çantë” propozimin që do t’ua ofrojë palëve dhe se në periudhën në vijim vetëmse do të përgatiten dy shtetet në konflikt që ta pranojnë të njëjtën.

“Në politikë asgjë nuk është e rastësishme. Këto ngjarje janë absolutisht të lidhura mes vete. Mendoj se secilit vëzhgues të situatave poltike në Maqedoni dhe rajon iu është e qartë se ngadalë shtrëngohet vendi jonë, të pranojë emërim dhe kjo nga ana tjetër e hap rrugën për në NATO. Në këtë takim që do mbahet në Nju Jork pritet që të konkretizohen disa punë dhe mendoj se kjo është e pashmangshme, pasi pala jonë haptaz ka bërë të qartë se është e gatshme për koncesione, koncesione jo parimore, historikisht të gabueshme rreth emrimit të shtetit”, tha Risto Nikovski, ish diplomat.

Ndryshe, në takimin e së mërkurës në Nju Jork pritet që palët të ofrojnë propozime, ndërsa Nimic kornizë inicuese për zgjidhjen e kontestit. Nga ana tjetër Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg të mërkurën dhe të enjten do të takojë krerët e shtetit.  /Alsat – M