Në mbledhje të Qeverisë është shqyrtuar përparimi i reformave të jurisprudencës
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot në mbledhje e shqyrtoi përparimin e reformave në jurisprudencë dhe i miratoi Propozim-ndryshimet e Ligjit për sport.
“Në këtë mbledhje të vet, ministrat në Qeverinë e RMV e shqyrtuan dhe pranuan Raportin vjetor për implementimin e Strategjisë për reforma në sektorin e jurisprudencës 2017-2022 me propozim të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim që të shfaqet shkalla e realizimit të masave dhe aktiviteteve të parapara me Planin e aksionit të Strategjisë për periudhën janar 2018 – dhjetor 2018, lidhur me avancimin e sistemit gjyqësor në vend në bazë të parimeve të pavarësisë, paanshmërisë, përgjegjësisë, efikasitetit dhe cilësisë”, thonë nga Qeveria.
Me Propozim-ndryshimet e Ligjit për sport propozohet lirimi tatimor për federatat nacionale sportive, klubet sportive, sportistët aktivë nga sportet olimpike dhe joolimpike, si dhe subjekte të tjera juridike të cilat kanë zgjidhje për kryerje të veprimtarisë së sportit. Lehtësimi tatimor, siç sqarojnë nga Qeveria, do të shfrytëzohet në bazë të vauçerit të dhënë nga ana e organit të administratës shtetërore kompetente për punët nga sfera e sportit, me çka do të sigurohen mjete të konsiderueshme për mbështetje të sportit dhe sportistëve.
Me propozim të Ministrisë së Financave është miratuar “Politika për kontroll të brendshëm financiar në sektorin publik, me Plan aksioni për periudhën prej 2019 deri më 2021” dhe është obliguar Ministria e Financave në afat prej një muaji të formojë Komitet për monitorim.
“Dokumenti ‘Politikë për kontroll të brendshëm financiar në sektorin publik me Plan aksioni për periudhën 2019-2021’ është dokument strategjik për zhvillim të mëtutjeshëm të sistemit për kontroll të bre4ndshëm në sektorin publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Qëllimi i këtij dokumenti është ta definojë kornizën e sistemit bashkëkohor, adekuat dhe efektiv për kontroll të brendshëm publik financiar, duke e përfshirë edhe menaxhimin dhe kontrollin financiar, revizionin e brendshëm, koordinimin qendror dhe harmonizimin dhe inspektimin financiar në sektorin publik, si dhe të ndihmojë për menaxhim të mirë financiar me mjetet publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, sqarojnë nga Qeveria.