Cipras: Refuzimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut në interes të fuqive regresive dhe nacionaliste


Refuzimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut do të ishte vendim në interes të fuqive regresive nacionaliste, ka thënë kryeministri grek Aleksis Cipras, sipas agjencisë greke të lajmeve ANA-MPA, në fjalimin e tij gjatë takimit përgatitor të partisë socialiste evropiane në Bruksel.

ANA-MPA duke iu referuar burimeve qeveritare greke, bëri të ditur se në fjalimin, Ciprasi e ka përmendur edhe perspektivën evropiane të vendit tonë, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Refuzimi që të fillojnë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, pas gjithë asaj që e arritëm me Marrëveshjen historike të Prespës, do të ishte vendim në interes të fuqive regresive dhe nacionaliste në barrë të politikës së progresit, paqes dhe miqësisë së popujve”, ka thënë Cipras.

Kryeministri grek, sipas ANA-MPA, ka folur edhe për kandidaturën e Manfred Veber për pozitën e kryetarit të Komisionit Evropian, duke sqaruar se të gjitha forcat progresive kanë përgjegjësi që ta parandalojnë atë, sepse një zgjidhje e tillë do të nënkuptonte edhe bashkëpunim zyrtar i së djathtës me të djathtën radikale, ndërsa kjo do të ishte katastrofë për të ardhmen e Evropës.

Ciprasi paralelisht ka shfaqur optimizëm për rezultatet nga eurozgjedhjet, por edhe shqetësim për rritjen e mundshme të së djathtës radikale.