Çfarë pa dhe dëgjoi Muhiq për Selën
Deputeti Ferid Muhiq gjatë seancës së sotme si dëshmitar për ngjarjet e 27 prillit theksoi se duke ikur nga sulmet e atëhershme në Kuvend është fshehur në galerinë e sallës numër 4, nga ku ka mundur të dëgjojë një njeri të veshur në të zezë i cili ka qenë në sallë, por nuk ka mundur t’ia sheh fytyrën pasi është fshehur. Nga ai ka dëgjuar për gjendjen e deputetit Ziadin Sela, për atë nëse ka të tjerë për likuidim, ka dëgjuar se si ka dhënë koordinata për veprime, në kontinuitet ka qenë i informuar për atë se çka ka ndodhur jashtë.
“Në një moment erdhi njeri dhe pyeti se çka u bë me Selën. Në këtë prej një tjetri mori përgjigje se me Selën është punë e kryer. Pastaj ka pyetur përsëri ‘e të tjerët’, me çka i është përgjigjur ‘do të shohim’. Më duket se këtu kishte njëfarë hierarkie”, ka thënë Muhiq.