Beçev: Rusia nuk do të heqë dorë nga Maqedonia


Rusia do të angazhohet që të vazhdojë edhe më tej të përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë, por nuk ka fuqi që ta parandalojë anëtarësimin e saj në NATO, nëse zbatohet marrëveshja me Greqinë për ndryshim të emrit, deklaroi analisti bullgar dr. Dimitar Beçev, bashkëpunëtor në Këshillin Atlantik dhe hulumtues në Qendrën për Studime Sllovene, Euroaziatike dhe të Evropës Lindore në Universitetin në Karolinën Veriore – Kapel Hil.

Beçev, i cili është drejtor i Institutit për Politikë Evropiane me seli në Sofje, në intervistën për Radion Evropa e Lirë deklaroi se “Rusia do të vazhdojë me politikën e saj oportuniste në Ballkan, duke e shfrytëzuar çdo gjendje të përshtatshme për qëllime propaganduese ose për ndikim mbi situatën në terren, por Ballkani nuk është edhe prioritet kryesor i Rusisë, sepse tani ka çështje më të rëndësishme për zgjidhje.

Sipas tij, Rusia do ta shfrytëzojë mundësinë që të kyçet në punët e brendshme të Maqedonisë, por, nuk është e qartë çfarë ndikimi do të ketë, sepse, tash për tash, inkuadrimi në NATO duket se është i sigurt.

“Pengesa e vetme është ajo që do të ndodh në Greqi, por unë nuk mendoj se Rusia ka kaq shumë potencial që ta vështirësojë këtë proces, dhe për këtë do të ketë shumë më tepër propaganda”, vlerësoi Bеçev.

Beçev thotë se është interesante çka do të ndodh tani në Maqedoni. Në VMRO-DPMNE ekziston proces, ata janë të ndarë mes vete, sepse deputetët që votuan për ndryshime kushtetuese janë dëbuar nga partia dhe është interesante çka po ndodh”, theksoi ai. Por, siç tha, ky moment tregoi se Perëndimi ka shumë më tepër ndikim në Maqedoni, sesa Rusia. Rusia nuk ka fuqi dhe nuk mund të jetë në nivel të njëjtë si Amerika dhe Bashkimi Evropian.