Banka Botërore planifikon ta ndihmojë Maqedoninë me 135 milionë dollarë
Banka Botërore në kuadër të Strategjisë për partneritet me Maqedoninë për periudhën 2015-2018 gjatë periudhës së ardhshme planifikon të sigurojë rreth 135 milionë dollarë kredi të reja, të cilat do të dedikohen për menaxhimin me financat publike dhe reformat në shërbimet sociale, si dhe investime në sferën e efikasitetit energjetik, transmeton Express.
Nga Banka Botërore informojnë se financimi i përgjithshëm i Bankës Botërore për Strategjinë 2015-2018 do të jetë rreth 360 milionë dollarë. Në mënyrë shtesë, IFC, një pjesë e Grupacionit të Bankës Botërore që e përkrah sektorin privat, planifikon të financojë rreth 40-60 milionë dollarë deri nga fundi i ciklit të Strategjisë.
Korniza e re partnere, për periudhën 2019-2022, sipas paralajmërimeve nga Banka Botërore do të diskutohet dhe kontraktohet me Qeverinë në gjysmën e dytë të vitit 2018.
Banka Botërore e publikoi analizën e suksesshmërisë dhe mësimeve të nxjerra, në të cilën e vlerëson përparimin në implementimin e Strategjisë vijuese për partneritet me vendin 2015-2018.
Në të, siç kumtuan nga Zyra e Bankës Botërore në Shkup, konstatohet se Maqedonia ka arritur rezultate të konsiderueshme në përforcimin e rrjeteve të mbrojtjes sociale dhe para fundit të vitit 2018 pret përparim të mëtutejshëm në menaxhimin me financat publike, klimën investuese, infrastrukturën rrugore, sektorin arsimor dhe infrastrukturën komunale.
Strategjia vijuese është e përqendruar në dy tema të gjera: rritje dhe konkurrencë dhe shkathtësi dhe inkluzion, me agjendën për qasje drejt BE-së, si temë e cila inkorporohet nëpër Strategjinë.
Bashkëpunimi me BE-në gjatë viteve të fundit është rritur përmes shfrytëzimit të fondeve të qasshme të IPA për konkurrencë lokale dhe rajonale në turizëm dhe përmirësimi e shërbimeve komunale në rajonet rurale.