Analizë: LSDM komode në qeverisje, BDI është aktive vëtem në formë “underground”


Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) si partneri i dytë më i madh në Qeverinë reformatore në opinion po përceptohet si partnerë i heshtur përball “vëllaut” të madh LSDM-së. Analistët vlerësojnë se bëhet fjalë për strategji të ndryshme të komunikimit me opinionin.

“Bëhet fjalë për strategji të ndryshme të komunikimit me opinionin. Duket se LSDM është më e strukturuar dhe më efektive në këtë drejtim, kurse BDI ka një komunikim që nuk bazohet mbi një strategji por duket se është e paplanifikuar. Aspekti tjetër është edhe kualiteti i kuadrove. Nëse një funksionar nuk ka kapacitet të kontribuojë në debatin për një çështje aktuale, normalisht që do të heshtë dhe do të presë që tjerët ta shpëtojnë duke i ofruar zgjidhje”, vlerëson për Zhurnal, Xhelal Neziri, analist.

Nga ana tjetër, botuesi i gazetës Koha, Arben Ratkoceri thotë se është e vërtet që BDI duket koxha e heshtur përballë LSDM-së.

“E vërtet që BDI duket koxha e heshtur përballë LSDM dhe këtë do e kisha ndërlidhur me tre faktorë. E para ndoshta për shkak të pritjes së “finales” të negociatave për emrin, kushtëzim për antarësim në NATO. Duket se përmes heshtjes kjo parti gjykon që do e ndihmon procesin apo të paktën nuk e dëmton, sidomos partnerin e kooalicionit i cili është faktorë kyq. Po ashtu BDI duket e heshtur edhe për shkak të përçarjeve të brendeshme që janë shumë evidente, ku nuk dihet akoma se kush çfarë roli ka në parti si dhe faktotë tjetër është se një pjesë e BDI-së e përfaqesuar në ekzekutiv po edhe nivele tjera qeverisëse me kuadra që lejnë shumë për të dëshiruar mos të themë të dobët”, thotë për Zhurnal, Arben Ratkoceri, botues i gazetës Koha.

Ndërkaq, gazetari dhe opinionisti Naser Pajaziti thekson se BDI është aktive, por në një formë “underground” duke taktizuar dhe bërë lojën e saj.

“Mendoj se edhe BDI është aktive, por në një formë “underground” duke taktizuar dhe bërë lojën e saj. Duke pasur numrat vendimtar apo kushtëzues në Qeverinë bashkë me LSDM, BDI ka krijuar komoditetin e saj. Këtë pozicion po ia mundëson edhe opozita e molisur dhe e përçarë shqiptare, shumica e së cilës tashmë disa muaj po harxhon energjitë për tiu bashkuar Qeverisë dhe jo për ta atakuar ate”, thekson për Zhurnal, Naser Pajaziti, gazetar dhe opinionist.

Sipas tij, edhe LSDM në çdo aspekt nuk ka ndonjë rezultat të qeverisjes së saj dhe se dita ditës po rritet zhgënjimi.

“Ne tashmë disa muaj nuk kemi parë ndonjë projekt apo zgjidhje serioze të kësaj qeverisje, përveç deklaratave të përditshme të kryeministrit, që në përmbajtje janë baraz me zero”, nënvizon Pajaziti.