Ahmeti: 17 vite jemi angazhuar për anëtarësim në NATO


Bashkimi Demokratik për Integrim në vazhdën e aktiviteteve në kuadër të fushatës për referendumin që do të mbahet me 30 shtator ka qëndruar në komunën e Bërvenicës.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti u shpreh se duhet qëndruar larg politikave të ndikuara nga lindja sepse historikisht ky popull i ka takuar kulturës perëndimore.

“Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një referendum i cili do të mbahet me 30 shtator, por kemi të bëjmë me plane strategjike, gjeo-politike, gjeo-ushtarake prandaj me 30 shtator vendoset e vuloset historia më e re e Republikës së Maqedonisë se a do ti takojmë bllokut për të cilin jemi angazhuar tash e 17 vite, duke qenë njëherit përcaktim filozofik dhe historik që ne të rreshtohemi pranë vendeve anëtare të NATO-së. Një mision tjetër historik është që ky vend të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Me 30 shtator vendoset e ardhmja e këtij vendi, vendoset për brezat e ardhshëm të këtij vendi. Kemi përgjegjësi historike që të gjithë ne bashkë,” nënvizoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Nën shoqërimin e kryetarit të BDi-së, Ali Ahmeti në komunën e Bërvenicës kanë qëndruar deputeti Xhevat Ademi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, zëvendëskryeministri Hazbi Lika dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Bujqësisë, Nefrus Celiku./Gazeta E Pavarur