​Kampionati botëror në futboll rrezikohet nga ISIS


Isis ka bërë një tjetër kërcënim për Kupën e Botës që do të luhet këtë verë në Rusi. Pas mesazheve kërcënuese kundër Messi-t dhe Neymar, të bëra pak kohë më parë, organizata terroriste ka aktivizuar zyrtarisht propagandën në prag të turneut, që do të fillojë 14 qershorin e ardhshëm.

“Vritini të gjithë” është mesazhi drithërues i zbuluar nga Site, shoqata që monitoron aktivitetin e terroristëve islamikë në internet. Një mesazh ky që është shoqëruar me imazhin e një thike që pret pjesën e sipërme të Kupës së Botës. Ky është vetëm një nga disa kërcënimet e bëra nga i ashtuquajturi shtet islamik. Në prill është paralajmëruar Putin: “Do ta paguash shtrenjtë vrasjen e myslimanëve”, lexohej në një poster ku shfaqej një xhihadist me një kallashnikov në dorë.

Ndërsa, marsin e kaluar, siç thamë më lart, terroristët kanë vënë në shënjestër Messi-n, i cili është shfaqur në një poster i veshur me portokalli, si njerëzit e vrarë nga Isis në video e propagandës të shtetit islamik.Arsyeja e një urrejtjeje kaq të madhe nga ana e Isis kundrejt Rusisë bazohet te fakti se presidenti Putin mbështet regjimin sirian të Bashar Al-Assad.