Zvarritet sistemimi i 1 600 nëpunësve të administratës publike


Sistemimi i 1600 administratorëve nuk do të fillojë nga java e ardhshme, ashtu siç ishte paralajmëruar. Ministri i shoqërisë informatike Damjan Mançevski thotë se deklarata e tij është keqkuptuar duke shtuar se sistemimi do të fillojë pas disa javësh.

“Ajo që do të bëjmë, diku nuk do të gjejmë mirëkuptim të duhur me njerëzit, apo nuk do të jetë e pranueshme ajo çfarë u është ofruar dhe pastaj aplikohen dispozitat ligjore ku këta njerëz vihen në listën e transferimeve, ata nuk shkarkohen nga puna, por vihen në dispozicion të institucioneve të tjera dhe do të marrin oferta, si të gjithë ata që marrin kur vijnë në listën e transferimeve në administratën publike”, shpjegoi Damjan Mançevski – ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës.

Ekspertët dyshojnë se nëpunësve do tu pëlqejë puna që do të përcaktohet. Ata thonë se sistematizimi i nëpunësve në vende pune është vendim politik.

“Disa nga ata janë në Maqedoni, disa jashtë vendit, disa para pensionit, mendoj se të gjithë duhet individualisht të thirren, të deklarohen nëse do të punojnë ose jo. Por ky është një vendim klasik politik. Nëse të hënën ngitet kjo procedurë, në sektorin publik duhet të ri-sistemohen për shkak se në sektorin privat nuk ka bazë ligjore”, thotë për Alsat-M, profesori universitar Borçe Davitkovski.

Me ndryshimet e fundit ligjore, nëpunësit, përpos në administratë publike do të mund të sistemohen në të gjithë sektorin publik, duke përfshirë shkolla, kopshte fëmijësh, institucione mjekësore dhe ndërmarrje publike. Në qoftë se nuk gjendet vend për ta, do tu ofrohet të transferohen në sektorin privat. / Zhurnal