Ziadin Sela: Ngjarjen e Kumanovës e organizuan VMRO-DPMNE dhe BDI


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Sela në një intervistë për Zërin e Amerikës flet për çështjet aktuale me të cilat përballet Maqedonia, qeveria dhe partitë politike në vend. Ai i bëri komentet në studiot e Zërit të Amerikës.

Zoti Sela e përshëndeti deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev për një hetim ndërkombëtar të ngjarjes së Kumanovës. Ai tha se edhe partia e tij ka kërkuar një hetim ndërkombëtar, por se para kësaj duhet të tregohet gatishmëria kur avokatët mbrojtës kërkojnë që figura të ndryshme politike të dalin si dëshmitarë. Sipas zotit Sela, incidenti u gjykua me shumë tendencë:

“Dihet se kush mund të jenë organizatorët: janë ish-regjimi i VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së; tash mbeten të gjenden aktorët brenda atij regjimi”, tha ai.

“Është e vështirë – tha zoti Sela, – që në këtë fazë të kemi një gjyqësor të depolitizuar dhe kjo varet shumë edhe nga aktorët politikë. Ngelet shqetësuese që reformat në drejtësi dhe vendosja para drejtësisë të njerëzve të inkriminuar e të korruptuar të shikohet në bazë të linjës etnike. Për shqiptarët e Maqedonisë është shqetësuese që ka përgjegjësi vetëm për politikanë maqedonas ndërsa politikanë dhe funksionarë aktualë nga blloku politik shqiptar po mbrohen nga qeveria aktuale”.

I pyetur mbi çështjen e projekt-ligjit për gjuhën shqipe, kryetari i Aleancës për Shqiptarët u shpreh pozitivisht për procesin që lidhet me përdorimin e saj. Ai tha se ligji, në mënyrë maksimale shfrytëzon të drejtën kushtetuese për përdorimin e gjuhës shqipe.

Zoti Sela tha se gjuha shqipe do të jetë në të gjitha institucionet qoftë të pushtetit qendror apo atij lokal dhe se e drejta e përdorimit të saj do të realizohet në mënyrë të kënaqshme.

Por, për zotin Sela mbetet shqetësues përcaktimi i gjuhës shqipe në kushtetutë që sipas tij, është qesharak dhe ofendues, si në referencën: “gjuha të cilën e flasin më shumë se njëzet përqind e popullatës dhe e ndryshme nga gjuha maqedonase”. Ai tha se shpreson që në një fazë tjetër kjo të rregullohet me kushtetutë.

Në lidhje me çështjen e emrit të Maqedonisë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët tha se referenca “Sllavomaqedonia” nuk mund të jetë e pranueshme për shqiptarët. Ai tha se qeveria e re e Maqedonisë i ka nisur mbarë marrëdhëniet me fiqnjët, duke theksuar vizitën e parë të një kryeministri maqedonas në Kosovë:

“Raportet e mira fqinjësore do të japin kontribut të jashtëzakonshm që të zgjidhen kontestet që i ka Maqedonia, qoftë sa i përket emrit, identitetit apo problemeve gjuhësore që i ka me Bullgarinë dhe shtetet përreth”.

I pyetur mbi kohezionin e partive shqiptare pas zgjedhjeve, sidomos mbi raportet e Aleancës për Shqiptarët me BDI-në, zoti Sela tha se ato janë të rrënuara pas zgjedhjeve lokale, ndërsa shpreson se tryeza e partive politike parlamentare shqiptare do të funksionojë, sepse është një mekanizëm, sipas tij shumë i rëndësishëm për arritjen e barazisë së shqiptarëve në Maqedoni.

Ai thotë se deklarata e përbashkët e partive shqiptare ka ngelur në plan të dytë, gjë që ai e shikon me shqetësim, ndërsa thekson nevojën e angazhimit dhe realizimit të zotimeve që dalin nga deklarata.

Në lidhje me postin e ministrit të Shëndetësisë që e ka ushtruar një anëtar i ASH-së e që për disa javë ka mbetur i zbrazët, zoti Sela thotë se partia ngul këmbë që ta ruajë këtë post. Kjo, – tha ai, – “është çështje dinjiteti dhe serioziteti”. Ai fajësoi BDI-në për zvarritjen e kësaj çështjeje, ndërsa mungesën e reagimit të duhur të kryeministrit Zaev e cilësoi si një “përpjekje për ta mbajtur shoqërinë shqiptare në monizëm”.

“BDI-ja ka për qëllim të zhvendosë debatin real që duhet të zhvillohet dhe LSDM-së i intereson një përçarje ndërmjet subjekteve politike shqiptare që të vazhdojë me projektet e saj”, tha z. Sela.

Ai tha se nëse do të ketë një riformatim të të gjithë qeverisë, atëherë kjo do të ishte e pranueshme edhe për ASH-në, por në të kundërtën nuk do të pranonte vetëm ndryshimin e pozicionit të ministrit të saj.