Zëra të pakënaqur nga BESA dhe PDSH me Zaevin?!


Qeveria po zvarrit ndarjen e posteve të drejtorive dhe disa posteve të tjera qeveritare si pjesë e kulaçit të ndarë për Lëvizjen BESA dhe PDSH.

Kohë më parë burime partiake bëjnë të ditur për televizionin Shenja se as nuk kanë filluar të takohen grupet punuese të cilat u paralajmërua se do të formohen dhe do të diskutojnë për këtë çështje.

“As partnerët e deritanishëm e as partnerët e posainkuadruar në koalicionin qeveritar nuk kanë informata se kur do të bëhet ndarja e drejtorive dhe pozicioneve të tjera në eshalonin e tretë”, theksuan këto burime.

Zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski paralajmëroi se menjëherë pas zgjedhjes së ministrave dhe zëvendës-ministrave në Kuvend, brenda javës tjetër do të kishte përgjigje konkrete për ndarjen e drejtorive.

Pas arritjes së marrëveshjes për zgjerimin e koalicionit qeveritar me Lëvizjen Besa, PDSH-në dhe Partinë Demokratike Turke, u paralajmërua se këtyre partive do t’u takojnë edhe drejtori përkrah posteve të ministrave dhe zëvendës-ministrave të cilët u zgjodhën të premten e kaluar. Lëvizja Besa në Qeveri drejton ministrinë e kulturës, ndërsa kuadër i kësaj partie u zgjodh sekretar shtetëror në Ministrinë e Drejtësisë.

Ndërkaq, PDSH e Menduh Thaçit mori Ministrinë për Investime të huaja dhe postin e zëvendës-ministrit për Transport dhe Lidhje. Ndarja e dikasterëve në eshalonin e tretë mes partnerëve të koalicionit dhe zgjedhja e drejtorëve të rinj është vlerësuar si domosdoshmëri për shkak se shumë pozicione kanë ngelur të zbrazta për muaj të tërë, disa madje edhe që nga formimi i Qeverisë së re.(INA)