Zeqirija Ibrahimi: Edhe nëse më propozojnë, nuk pranoj të bëhem ministër


“Nuk do ta pranoj postin e ministrin edhe po që se do të propozohem”, kjo është përgjigja e Zeqirija Ibrahimit, anëtarit të Kryesisë Qendrore në Lëvizjen BESA ku kryetar është Afrim Gashi, në pyetjen nëse janë të vërteta informatat nëpër media se ai pritet që të jetë ministri i ardhshëm i Kulturës, njofton Portalb.mk.

“Ende nuk kemi arritur në atë fazë, por unë nuk do të jem ministër edhe po që se do të propozohem”, tha shkurt për Portalb.mk, Ibrahimi.

Ndryshe, Ibrahimi ishte njëri ndër emrat më të përfolur nëpër media për të marrë post ministror, si rezultat nëse eventualisht partia e tij futet në qeveri.

Bisedimet janë në fazë finale, ndërkaq sot pritet që të tregojnë nëse e pranojnë ose jo ofertën që ua ka dhënë kryeministri Zoran Zaev.

Ndonëse s’ka ende informata të sakta për ofertën, nëpër media qarkullojnë informata se Zaev, Lëvizjes BESA të krahut të Gashit, ua ka dhënë Ministrinë e Kulturës.

Në bisedime janë edhe PDSH, të cilët edhe ata kanë paralajmëruar se sot do të japin informata rreth hyrjes apo jo, në qeveri.

Bisedimet për rikonstruim të qeverisë janë paralajmëruar që nga nëntori i vitit të kaluar, ndërkaq krahu i Bilall Kasamit në Lëvizjen BESA, të shtunën i ka ndërprerë bisedimet. /Portalb