Zbulohet shkaku pse ndërkombëtarët kërkuan kyçjen e Thaçit dhe Gashit në qeverinë e Zaevit


Si ndryshoi qëndrimi i Lëvizjes Besa dhe PDSH-së dhe kush i bindi të bëhen pjesë e qeverisë reformatore “Zaev”? Burime diplomatike thonë për Gazetën Lajm, se bashkësia ndërkombëtare ka insistuar që ata të bëhen pjesë e qeverisë, pasi BDI nuk ka treguar rezultatet e nevojshme për shqiptarët, si parti e vetme shqiptare në ekzekutiv.
“Kyçja e Besës dhe PDSH-së është edhe në të mirë të shqiptarëve, sepse BDI-së si parti e vetme shqiptare në qeveritë e kaluara, nuk ka sjellur asgjë të mirë për elektoratin shqiptar. Tani kur qeverisë pritet ti bashkohen edhe dy subjekte tjera shqiptare, shpresojmë se BDI do të reflektojë ashtu siç është zotuar disa herë lideri i saj dhe të fillojë të punojë në dobi të elektoratit, e jo vetëm në dobi të klikave të caktuara”, kanë thënë këto burime diplomatike.
Nga ana tjetër edhe turbulencat brenda BDI-së dhe mundësitë për “shkërmoqje” të kësaj partie, kanë qenë shkaku pse faktori ndërkombëtar ka insistuar që Lëvizja Besa e Afrim Gashit dhe PDSH e Menduh Thaçit, të bëhen pjesë e qeverisë reformatore. Në prag të zgjidhjes së çështjes së emrit, ndërkombëtarët kanë vlerësuar se nuk është mirë që shumica qeveritare të varet nga një parti jostabile si BDI-ja, e cila po përballet me plasaritje të brendshme, ngjashëm siçu përballën edhe partitë tjera shqiptare.

“BDI ende luhatet majtas e djathtas. Një pjesë nga VMRO-ja, një pjesë nga LSDM-ja. Ky fragjilitet brenda BDI-së, reflektohej edhe në funksionimin e qeverisë në këto momente kur një gjë e tillë më së paku i nevojitet Maqedonisë. Tani funksionimi do të jetë më i koordinuar dhe më stabil”, theksojnë diplomatët perëndimorë në Shkup, duke theksuar: “Në këto momente ishte më e rëndësishme shumica stabile qeveritare, se sa postet që morën dy partitë”.
Ata shtojnë se piëkrisht presioni ndërkombëtarë ka detyruar edhe BDI-së që të mos kundërshtojë hyrjen e partive të reja në qeveri edhe pse “Ahmeti nuk ka treguar shumë vullnet të ndajë kulaçin me parti tjera, përveç me socialistët e Xingos”./lajm