Zaev po harron se u bë kryeministër nga partitë shqiptare

Kryeministri Zoran Zaev, duke folur për ligjin për përdorimin e gjuhëve, mbrëm në Alsat-M, deklaroi se ligji në fjalë është më shumë meritë e tij sesa e BDI-së, dhe do të vazhdojë ta mbrojë përpara atyre që e kundërshtojnë atë. Në janar, sipas Zaevit, ligji do të kalojë edhe leximin e dytë në Kuvend.

“Besoj se si socialdemokrat, më shumë e kam mbrojtur ligjin se sa BDI-ja. BDI-ja ndoshta do të thotë se kjo nuk është e vërtetë por unë besoj në atë”, deklaroi kryeministër Zoran Zaev.
Tentojnë t’i marrin meritat, sidomos për ligjin e gjuhëve?

“Zaevit nuk mund të ja marrin meritat. Zaevi është maqedonas që lufton për bashkësitë më të vogla në numër, për barabarsinë e tyre në Maqedoni”, u përgjigj ai.
Kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani për Zhurnal shprehet se ky avancim i vogël i gjuhës shqipe nuk është aspak meritë e Kryeministrit Zoran Zaev por është meritë e opozitës shqiptare.

Sipas tij igjin për Gjuhën shqipe nuk do ta sillte Zaev asnjëherë, duke e marrë parasysh unitarizmin, me të cilin merrë frymë.
“Ky avancim i vogël i Gjuhës shqipe është rezultat i presionit qe e bëri opozita shqiptare. Opozita shqiptare është meritore për këtë avancim sado i vogël që të jetë. Gjuha shqipe do të jetë gjuhë zyrtare vetëm atëherë kur një nëpunësi shteterorë, në rast se pala shqiptare do t’i drejtohej në gjuhën e vetë, nëpunësi do të ishte i detyruar t’i përgjigjet në gjuhen shqipe, që do të thotë se: nëpunesi shtetëror, ose duhet të jetë shqiptar, ose duhet ta njohë
gjuhën letrare shqipe, sikurse që eshte në Belgjikë dhe Zvicër”, ka deklaruar për Zhurnal, kryetari i shoqatës së ish të burgosurve politik, Shpëtim Pollozhani.

Nga ana tjetër, politologu Xhenis Sulimani konsideron se Zaev në mënyrë shumë demokratike dhe paqësore nuk po synon vetëm elektoratin e BDI-së por edhe të partive tjera në përgjithësi.

“Kështu duke pretenduar se prej sot e tutje çdo reformë në të mirën e shoqërisë është ekskluzivisht e tij. Me ose pa vetëdije Zaev po harron se legjitimitetin e timonit qeveritar e ka “dhuratë” pikërisht nga partitë shqiptare. Për çfarëdo që do të lavdërohet në të ardhmen Zaev duhet të jetë i sinqertë deri në fund dhe të pranojë se ai është sot kryeministër falë partive politike shqiptare. Nga ana tjetër, është fakt se LSDM ia ka përgjysmuar votën BDIsë,
tani në lokale kjo u vërtetua edhe më shumë, kur pa votën e LSDM-së BDI-ja do të ishte humbësja më e madhe e zgjedhjeve. Mendimi im deri në zgjedhjet e ardhshme është se LSDM do të rritë elektoratin e tij shqiptar”, ka deklaruar për Zhurnal, politologu Xhenis Sulimani.