Zaev: Nuk është kërkuar të ndryshojmë emrat e rrugëve e Aeroportit, por jemi të gatshëm të bisedojmë


Askush nuk ka kërkuar nga unë ndryshim të emrit të rrugëve ose aeroportit, por nëse dikush më parashtron një kërkesë të këtillë unë jam i gatshëm të bisedoj”. Kështu është përgjigjur kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ndaj zërave që ditëve të fundit po qarkullojnë nëpër mediat vendase dhe ata greke, se kryetari i Selanikut Jani Butaris ka kërkuar që të bëhen këto ndryshime.

“Bëhet fjalë për një takim joformal. Biseduam për gjithçka, u hapën shumë tema. Unë i thash që e pres kohën e duhur dhe se jam i gatshëm që të krijoj marrëdhënieve fqinjësore. Askush nuk kërkoi prej meje ndryshim të emrave të rrugëve ose aeroportit. E di që detyrë kryesore në këtë proces është që të gjejmë një zgjidhje. Dhe jam shumë i sigurt se çështja e emrit do të zgjidhet deri në fund të 2018-tës”.

Në intervistën e dhënë për portalin Mkd.mk, kryeministri Zaev, shton se është shumë i kënaqur me atë se si kanë ecur zhvillimet deri në këto momente, duke ndërtuar fillimisht marrëdhënie ndërfqinjësore me Athinën dhe kjo sipas tij shihet edhe përmes porosive pozitive që i drejtojnë njëri tjetrit.

“Deri tani mund të them se me sukses e kemi realizuar fazën e parë, në të cilën ndërmjetësuesi Metju Nimic u ulë në tavolinë së bashku me negociatorët e të dyja palëve, për të parë sa janë të gatshëm dhe përshtypja e atij takimi ishte se të dyja palët ishin të gatshme që të fillojnë me zgjidhjen e problemit. Paralelisht ndërtojmë besim reciprok dhe kjo vihet në pah përmes të gjitha porosive që i dërgojmë njëri tjetrit”, deklaroi Zaev. /SHENJA/