Zaev me oferta konkrete për dy krahët e Besës, deri në fund të muajit, kabinet të ri qeveritar


Ende nuk ka ndonjë ofertë konkrete nga kryeministri Zoran Zaev për mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare. Nga krahu i Afrim Gashit  njoftuan se brenda javës aktuale do të ketë ofertë konkrete nga kryeministri dhe në bazë të saj do të marrin vendim.

“Kemi pasur komunikim, konkretisht kryetari Afrim Gashi ka pasur disa kontakte me kryeministrin përkitazi me këtë temë, ndërsa pritet që ditëve në vazhdim të kemi biseda më konkrete lidhur me kyçjen eventuale të Lëvizjes Besa në Qeveri. Flasim për Lëvizjen Besa që udhëheq Afrim Gashi dhe ne mund të bisedojmë vetëm për qëndrimin tonë sa i përket kësaj çështje”, u shpreh Rexhep Memedi, Deputet, BESA-krahu i Gashit.

Në bisedime me kryeministrin Zaev janë edhe krahu i Bilall Kasamit. Zëdhënësi i Lëvizjes Besa Avdush Demiri tha se pasi të përfundojnë bisedimet, krahun e Kasamit qeveria do ta cilësojë si parti, ndërsa krahun e Gashit vetëm si një grup deputetësh.

“Momentin që të kemi ofertë konkrete do e shqyrtojmë në organet e partisë dhe konform vendimit të organeve partiake do të jetë edhe veprimi jonë politik. Me ne kryeministri bisedon si subjekt politik Lëvizja Besa, ndërsa me grupin e vetëpërjashtuar nga ne, bisedon si një grup i deputetëve. Këtë e tha publikisht edhe Kryeministri kur deklaroj se bisedon me parti politike dhe me deputetët duke aluduar pikërisht në këtë grup që tashmë janë vetëpërjashtuar nga Lëvizja Besa”, tha Avdush Demiri, Zëdhënës i Lëvizjes BESA.

Kryeministri para disa ditëve deklaroi se do të ketë bisedime edhe me partitë e tjera për të shqyrtuar mundësitë e rritjes së mazhorancës, ndërsa deri në fund të muajit do të ketë shumicë të re parlamentare.

“Dëshiroj ta shfrytëzoj hapësirën kohore derisa po zhvillohen bisedimet për rikonstruimin e qeverisë dhe për përforcimin e saj, dhe në këtë periudhë ta plotësojmë vendin vakant në Ministrinë e drejtësisë dhe patjetër do të dalim edhe me zgjidhjet e tjera kadrovike“, tha Zoran Zaev, Kryeministër i RM-së (05.04.2018).

Ndryshe vendimin për të zgjeruar shumicën parlamentare qeveria e mori si pasojë e largimit të Aleancës për Shqiptarët nga mazhoranca, duke lënë boshe shumë funksione në pushtet, duke marrë me vete edhe 2 deputetët e tyre. Zaev ka theksuar se me anë të zgjerimit do të përforëcohet dhe stabilizohet shumica parlamentare dhe me këtë do të ndikohet në sjelljen e reformave.