Zaev – Mamadairov: Së shpejti negociata për heqje të plotë të vizave me Azerbajxhanin


Mundësia për heqjen e vizave dhe për bashkëpunim në energjetikë ishin një ndër temat e bisedës së takimit të kryeministrit Zoran Zaev, me shefin e delegacionit dhe ministër të Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Elmar Mamadiarov, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të 74-t të KB-së në Nju-Jork.

Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, në takimin në të cilin Zaevi ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështjet Evropiane Bujar Osmani dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, të dy bashkëbiseduesit shprehën kënaqësi të përbashkët nga marrëdhëniet mes të dyja vendeve të përmbushura me marrëdhënie miqësore dhe mirëkuptim.

“Kryeministri Zaev në bisedën me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit shprehu mbështetje për reformat dhe dialogun që ky vend e realizon në kuadër të Planit aksional për partneritet me NATO-n, si dhe për përcaktimin e Azerbajxhanit që të arrijë prioritete të përbashkëta politike me Bashkimin Evropian. Në takim kryeministri Zaev e theksoi edhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që t’i mbështesë idetë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes të dyja vendeve, veçanërisht në energjetikë me Azerbajxhanin si vend i cili është partner i Gazsjellësit Trans-Adriatik  (TAP-Trans-Adriatic Pipeline)”, qëndron në kumtesë.

Një nga masat e para në atë drejtim, theksohet, është heqja e vizave për qytetarët e Azerbajxhanit në periudhën e ardhshme. Në të ardhmen e afërt pritet që të fillojnë negociatat e të dyja vendeve për heqjen e plotë të vizave për qëndrime të shkurta për qytetarët e të dyja vendeve.

Përndryshe, kryeministri Zaev, i cili e kryeson delegacionin qeveritar në Asamblenë e Përgjithshme të 74-t të Kombeve të Bashkuara, në Nju-Jork, sipas burimeve greke sot duhet të ketë takim me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis. Ky do të jetë takimi i parë i të dy kryeministrave pasi Kirjakos Micotaki fitoi në zgjedhjet të cilat u mbajtën në fillim të korrikut në Greqi.

Në agjendën e Zaevit është paraparë edhe takim zyrtar me sekretarin e përgjithshëm të KB-së Antonio Guteresh, si dhe prani në pritjen me ftesë të presidentit të SHBA-së Donald Tramp dhe bashkëshortja Melania me rastin e mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të 74-t të KB-së.

Fjalim zyrtar i kryeministrit Zaev në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së është paraparë për të shtunën në sesionin e  paradites.

Në përbërjen e delegacionit qeveritar janë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe dhe ministri i Mjedisit  Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini. Ministrat do të marrin pjesë në punën e forumeve në kuadër të katër samiteve të cilat këtë vit u dedikohen ndryshimeve klimatike, qasjeve universale deri te shërbimet cilësore shëndetësore, caqeve për zhvillim të qëndrueshëm dhe për financim të zhvillimit.