Xhaferi: Kriza me emigrantët akoma nuk ka përfunduar


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, në fjalimin e tij në Kuvendin e Unionit Ndërparlamentar në Gjenevë tha se kriza me emigrantët akoma nuk ka përfunduar dhe se të gjithë shtetet duhet të ndërmarrin masa.

“Emigrantët si dukuri janë të pranishëm që prej fillimit të civilizimit njerëzor. Ata intensifikohen me globalizimin. Viteve të fundit Evropa është ballafaquar me ikje masovike të emigrantëve. Vetëm përmes Maqedonisë, e cila është pjesë e të ashtuquajturës “rruga ballkanike” kanë kaluar qindra dhe mijëve emigrantë. Disa analiza tregojnë se kriza me emigrantët nuk ka përfunduar akoma dhe është koha që gjithë së bashku, sidomos shtetet të ndërmarrin masa konkrete”, tha Xhaferi, përcjell Telegrafi Maqedoni. “Gjithë ne shpesh krenohemi me numrin, gjegjësisht sa emigrantë kemi pranuar ose sa e kanë kaluar nëpër territorin tonë. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se emigrantët janë më së paku janë numra, edhe ata janë persona si ne”, ka thënë Xhaferi.

Ai shtoi se dokumentet ndërkombëtare, mes të cilave edhe Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, na detyron të përforcojmë angazhimin për emigrantët dhe refugjatët.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, prej 24 deri 28 mars do të merr pjesë në Kuvendin e 138-të të Unionit Ndërparlamentar që po mbahet në Gjenevë.