VMRO në vazhdimësi mashtron popullin e vet

Robert Nesimi

Një numër anketash ndërkombëtare që masin lumturinë e popujve, në mënyrë konsistente tregojnë se maqedonasit janë populli më i pakënaqur dhe pesimist në Europë. Dhe kjo nuk mund të jetë vetëm çështje e kushteve të vështira ekonomike e sociale; shtete më të varfëra si Kosova janë më optimistë dhe shpresëplotë për të ardhmen. Më e besueshme është se kemi të bëjmë me rast klasik të mospërputhjes mes perceptimit dhe realitetit, kryesisht të lidhura me pritjet e gabuara për rolin që duhet të kenë shqiptarët në shtet, gjegjësisht perceptimit të tyre si mysafirë në këtë shtet. Shqiptarët vazhdimisht dhe gabimisht nënvlerësohen, demonizohen dhe paraqiten si kërcënim, e më pas çdo avancim i të drejtave dhe rolit të tyre në shtet shkakton mllef e dëshpërim krejtësisht të paarsyeshëm.
Në këtë drejtim nuk ka subjekt politik që e ka keqpërdorur këtë temë më tepër seç ka bërë e bën VMRO-ja. Ajo fillimisht mashtron dhe krijon pasqyrë të rrejshme për shqiptarët, e më pas përfiton politikisht duke eksploatuar dhe manipuluar mllefin e shkaktuar nga pritjet dhe premtimet e rreme të shkaktuara nga mashtrimi i saj.

1. Qeveri pa shqiptarët. Teza e parë e madhe e VMRO-së pas pavarësimit ishte formimi i qeverisë pa shqiptarë. Këtë tezë ajo e përsëriti shkarazi, por pa seriozitet, edhe pas zgjedhjeve të 2008 dhe 2014. Sipas saj si popull shumicë maqedonasit nuk kanë nevojë të përfillin vullnetin e qytetarëve tjerë dhe lirisht mund të anashkalojnë 35% të popullsisë jomaqedonase, natyrisht duke goditur kryesisht shqiptarët.
Teoretikisht kjo vërtetë është e mundur, por VMRO asnjëherë nuk sqaroi se çfarë mund të jenë pasojat nga ky hap dhe si mund shteti të përballet me kësi anashkalimi të minimum 35% të popullsisë. Këtë gabim nuk e ka bërë as Maqedonia e periudhës jugosllave dhe fatmirësisht në praksë ajo dështoi menjëherë, qysh në vitin 1990. Edhe vetë e vetëdijshme se do të bënte gabim fatal dhe se është temë me fjalë boshe për qëllime meskine politike, këtë hap nuk e ka bërë as VMRO sa herë ka ardhur në pushtet. Megjithatë vetë plasimi i tezës së këtillë ka shkaktuar dëm të mjaftueshëm te një pjesë e popullatës maqedonase, e cila akoma nuk honeps faktin që në qeveri detyrimisht do të ketë edhe shqiptarë.

2. Universiteti i Tetovës. Me shpërbërjen e Jugosllavisë, shqiptarëve të Maqedonisë ju mbyll dera e vetme ku mund të ndiqnin arsim të lartë në gjuhën amtare, gjegjësisht Universiteti i Prishtinës. Krijimi i një universiteti në shqip pra ishte nevojë urgjente, ku shqiptarët të paktën do të mund të edukonin mësues për të arsimuar gjeneratat e tyre të ardhshme. Universiteti i Tetovës lindi pikërisht nga kjo nevojë.
Për fat të keq këtë domosdoshmëri nuk e kuptoi as SDSM e asaj kohe, e cila intervenoi me dhunë me të filluar mësimi në këtë universitet. Ajo gabimisht tentoi të amortizojë problemin me Fakultetin Pedagogjik në 1997, por më pas ndryshoi krejtësisht qëndrimin pas vitit 2002. VMRO u soll shumë më keq. Ajo eksploatoi në maksimum hapjen e Fakultetit Pedagogjik duke organizuar protesta të mëdha anti-shqiptare kundër tij. Ajo poashtu politizoi dhe keqpërdori në maksimum zyrtarizimin e UT-së në 2004. Megjithëse në pushtet u tregua ku e ku më e moderuar, qëndrimet e saj kundër arsimit shqip lanë njolla të pashyeshme te popullata maqedonase. Arsimi në shqip vazhdon të shihet si “lëshim” ndaj shqiptarëve dhe “humbje” e maqedonasve. Në ndërkohë eksponentët kryesorë të VMRO-së, si Miloshoski, Gjorçev, Petrovski e të tjerë bënë karriera politike mu nga ato protesta antishqiptare të vitit 1997.

3. Ndarja territoriale. Në vitin 2004 u bë ndarje e re territoriale e komunave në Maqedoni. Realisht ndarja nuk ishte diçka e re, sepse komunat kryesisht u rikthyen në kufijtë që kishin patur dekada me rradhë; faktikisht u zhbë organizimi territorial i bërë në vitin 1996. Dekada me rradhë, deri në vitin 1996, Kërçova ishte në kufijtë që ka sot, Struga është po e njëjta me përjashtim të Vevçanit, por kjo me kërkesë dhe dëshirë të vetë banorëve të tij. Deri 1996 brenda Shkupit ka qenë edhe Haraqina, ndërsa Likova ishte pjesë e Kumanovës.
Nëse me ndarjen territoriale u dëmtua dikush, këto ishin shqiptarët. Shkupi dhe Kumanova mbetën me më pak shqiptarë, ndërsa një shikim i shpejtë në hartë i kufirit mes Tearcës e Jegunovcës tregon se çfarë manovrash qesharake janë bërë për të siguruar një komunë me shumicë maqedonase në Pollog. Selia e komunës së Bërvenicës u vendos në fshatin me shumicë maqedonase Bërvenicë, edhepse vendbanim ku e ku më i madh atje është fshati Çellopek.
E megjithatë VMRO vazhdon të trajtojë ndarjen territoriale si tradhëti ndaj maqedonasve. Ajo vazhdon të konsiderojë Kërçovën dhe Strugën si viktima të “lëshimeve” ndaj shqiptarëve, edhepse ata janë saktësisht në kufinjtë ku kanë qenë përherë. Një tjetër rast i shtrembërimit të realitetit dhe kapitalizim i mllefit të rrejshëm nacionalist për qëllime politike, vetëm e vetëm pse kryetarët e Kërçovës e Strugës janë shqiptarë.

4. Ligji i gjuhëve. Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe ka qenë kërkesë politike e shqiptarëve tani e 30 vjet. Po ky zyrtarizim ishte rezultat i bisedimeve të paqes dhe marrëveshjes së Ohrit, madje ishte njëri nga kushtet kryesore për ndaljen e konfliktit të vitit 2001. Ai duhej të realizohej më së voni deri në vitin 2006. E paaftë t’a kodifikojë me kohë, BDI pranoi që zyrtarizimi të bëhet “me rata”, derisa me paraqitjen dhe insistimin e partive të reja Aleanca dhe Besa u soll ligji i sotëm. Në esencë VMRO tani nuk pranon “të paguhet” rata e parafundit e gjuhës (e fundit do të jetë emërimi i gjuhës shqipe me emrin e saj), për një gjë që duhej të bëhej përnjëherësh 10-15 vite më parë.
Me kundërshtimin e egër të ligjit të sotëm të gjuhëve, VMRO përsëri mashtron popullin e vet. Ajo injoron faktin se kjo është dakorduar qysh në vitin 2001 dhe se ishte njëri nga kushtet për ndaljen e konfliktit të armatosur. Dhe përsëri krijon mllef dhe e manipulon atë për politikë ditore.

5. Regjistrimi. Qysh si fëmijë mbaj mend lajmet që alarmonin se me këtë natalitet shqiptarët për 20 vjet do të bëhen shumicë në Maqedoni. Dhe vërtetë trendet demografike te shqiptarët vazhdimisht kanë qenë më të favorshme se tek maqedonasit. Si pasojë përqindja e shqiptarëve në vend ka shkuar duke u rritur, derisa arriti 25% në 2002 dhe llogaritet të jetë mes 27%-30% sot. Kjo mund të vërtetohet lehtë matematikisht po të analizohen trendet e disa dekadave me rradhë.
Por VMRO vazhdon të insistojë se shqiptarët nuk janë as 20% dhe me gjasë ka ndërprerë regjistrimin e fundit vetëm e vetëm për të fshehur numrin e vërtetë të maqedonasve dhe shqiptarëve në vend. Sipas kësaj teze idioteske qysh nga koha e Rankoviçit ka një konspiracion për të rritur fiktivisht numrin e shqiptarëve në Maqedoni! Pra Enti statistikor i Jugosllavisë dhe më pas ai i Maqedonisë paskan manipuluar çdo parametër demografik vetëm e vetëm që të nxjerrin shqiptarët mbi 20% dhe t’i kualifikojnë ata për përdorim zyrtar të gjuhës në vitin 2017!
Kjo tezë është aq e pamend saqë vështirë se e besojnë vetë eksponetët e VMRO-së. Por e keqja më e madhe është se atë po e përqafon një numër i konsiderueshëm i maqedonasve, madje kohëve të fundit edhe jashtë VMRO-së. Kështu tek kjo popullatë po krijohet një pritje tjetër e rrejshme, që do të shoqërohet me dëshpërim tjetër të thellë kur të bëhet regjistrimi i ri i popullsisë. Që natyrisht VMRO do e shfrytëzojë politikisht deri në maksimum.

Për fund duhet thënë se VMRO sillet krejtësisht ndryshe kur është në pushtet dhe ndryshe kur është opozitë. Por pasojat e dëmshme të krijimit të realiteteve të rrejshme kur është në opozitë, në popull lënë efekt për kohë më të gjatë. Prandaj VMRO duhet të braktisë këto taktika politike sa më parë, sepse vetëm ashtu do t’i bëjë shërbim popullit maqedonas, por edhe vetvetes, sepse herët a vonë do të duhet të bashkëqeverisë prapë me shqiptarë.