VMRO-ja pengon Dimitrovin në prezantimin e raportit


VMRO DPMNE-ja nuk ka lejuar mbajtjen e fjalimit të Ministrit të Jashtëm, Nikolla Dimitrov në komisionin e politikës së jashtme ku duhej të raportonte për punën e bërë në politikën e jashtme dhe pozitën ndërkombëtare të Maqedonisë. Kreu i komisionit, Antonio Milloshoski tha se seanca nuk mund të mbahet pa shqyrtuar dy dokumente të klasifikuara, që sipas tij kanë të bëjnë me qëndrimet e ministrit dhe të qeverisë lidhur me bisedimet me Greqinë për çështjen e emrit. Milloshoski tha se në këto dokument duhet të kenë qasje deputetët që kanë qasje në dokumentet e klasifikuara. Por Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ndaloi shpërndarjen e këtyre dokumenteve, që Milloshoski i kishte siguruar nga Presidenti, Gjorge Ivanov.

-A është vendosur ndalesa për shpërndarjen e këtij materiali për shkak se në takimin e parë të liderëve në janar të këtij viti është sjellë konsensus të mos ketë ndryshim të Kushtetutës në bazë të zgjidhjes me Athinën?! Një pohim të tillë ka edhe Ministri, Dimitrov. Apo ndalesa është dhënë për shkak se në takimin e dytë, në maj të këtij viti, është thënë se Kushtetuta mund të ndryshohet si propozim i Qeverisë vetëm nëse zgjidhja është “Maqedonia e Ilindeni” dhe për asnjë propozim tjetër – tha Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.

Kjo nxiti debat mes shumicës dhe opozitës si dhe disa herë shtyrje të seancës. Me ç ‘rast opozita akuzonte pushtetin për fshehje të informatave të rëndësishme para refundimit, ndërsa shumica akuzonte opozitën se po bënte spektakël të panevojshëm. Ministri, Dimitrov në një deklaratë të shkurtër për media tha se është i gatshëm për çfarëdo debati, por se Marrëveshja me Greqinë ishte kompromis që favorizon Maqedoninë.

-Ne ishim cilësuar si “shtet i kapur”, kishim shumë pak miq. Sot Maqedonia është shtet i mundësive dhe sipas fjalëve të shumë miqve tanë në Evropë dhe SHBA, është dritë shprese. Mbledhja e fundit e Këshillit për stabilizim asociim bashkë me Federika Mogerinin, thanë se është Maqedonia ishte lajmi dhe tregimi më i suksesshëm këtë vit për Bashkimin Evropian. Na kritikuan për sundimin e së drejtës, probleme me lirinë e mediave dhe pavarësinë e gjykatësve. Sot thonë se Maqedonia ka bërë kthesë – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.

Edhe përskaj dy tentimeve, seanca u shty për nesër ndërkohë që nga LSDM-ja kanë paralajmëruar padi penale ndaj Antonio Milloshoskit dhe një zyrtari të kabinetit të presidentit për shkak të dhënies së materialeve të klasifikuara kryetarit të Komisionit, i cili siç thuhet nuk posedon certifikatë sigurisë andaj edhe nuk ka të drejtë të kërkoj diçka të tillë./Alsat M