VMRO-DPMNE: Qytetarët të vendosin sipas bindjeve të tyre në referendum
Pas një debati maraton VMRO-DPMNE morri vendim që secili qytetarë të vendos vetë se a do të votojë dhe se si do të votojë në referendumin për emrin më 30 shtator. Megjithëse partia do të zhvillojë fushatë aktive ajo nuk do t’i udhëzoj qytetarët që të bojkotojnë referendumin, të votojnë PRO apo Kundër marrëveshjes së Prespës.
“Kjo nuk është çështje vetëm e Mickoskit apo VMRO-DPMNE-së, as vetëm e Zaevit apo LSDM-së, por e tërë Maqedonisë. Në këtë moment historik, VMRO-ja, pas konsultimit me qytetarët, për bojkotim apo kundërshtim të referendumit, dhe pas konsultimeve me ndërkombëtarët dhe anëtarët e partisë, sërish vlerësoi se kjo marrëveshje është e dëmshme për Maqedoninë, dhe prandaj ne do t’ua lëmë qytetarëve, që vendimin për referendumin ta marrin në bazë të vlerësimit vetanak”, tha Mickoski.
Lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski në fund të fjalimit ka kërkuar duel nga kryeministri Zoran Zaev, pasi që siç tha ai, “në tryezë kemi marrëveshje dhe shumë çështje të cilat duhet t’ju sqarohen qytetarëve para 30 shtatorit”.
“Hajde në tryezë në duel, sepse kemi një marrëveshje, sepse kemi shumë gjëra që duhet të diskutohet, dhe të cilat duhet të ju bëhen të qarta qytetarëve deri para 30 shtatori”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.
(Alsat M)