VMRO-DPMNE-ja bllokon edhe miratimin e buxhetit të vitit 2018


Pas emërimit të djeshëm nga kryeparlamentari Talat Xhaferi, me Komisionin për Financa dhe Buxhet sot kryesoi deputeti i Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë, Vasko Kovaçevski. Si pasojë e kryesimit të seancës, e cila nisi në ora 13:20 ku po diskutohet propozim-buxheti për vitin 2018 nga LSDM, deputetët e VMRO-DPMNE-së kanë lëshuar mbledhjen, njofton Portalb.mk.

Deputetët e shumicës parlamentare apeluan deri të deputetët e VMRO-DPMNE-së që të marrin pjesë në debatin e propozim-buxhetit 2018.

“Apelojmë te kolegët e VMRO-DPMNE-së që të vijnë dhe të bëhen pjesë e debatit për buxhetin. Ti miratojnë ose të mbrojnë shumë amendamente të cilat i kanë propozuar. Derisa të marrin një vendim të tillë, kryetarja e Komisionit të vijë dhe të mbajë mbledhjen që të ketë një debat thelbësor pasi që afati është në rrjedhë. Sot është dita e gjashtë kurse tërësisht janë 10 ditë”, tha Jovan Mitrevski nga LSDM-ja.

Seanca për Propozim-buxhetin të vitit 2018 filloi të hënën e kaluar dhe që atëherë janë caktuar disa vazhdime të seancës, por nuk është mbajtur asnjëra.

Debati rreth buxhetit të propozuar sipas Rregullores në Komision zgjat 10 ditë pune. Rreth tekstit janë parashtruar 279 amendamente. Pas përfundimit të debatit në Komision, Propozim-buxheti shkon në seancë plenare, ku debatohet pesë ditë me radhë.

Propozim-buxheti për vitin 2018 ishte dje në rend dite në Komisionin juridiko-ligjdhënës.