VMRO-DPMNE i dha fund bojkotit të parlamentit
Komiteti qendror ekzekutiv i partisë VMRO-DPMNE ka marrë vendim të dielën në mbrëmje për kthimin e deputetëve në punimet e parlamentit të Maqedonisë.
Opozita maqedonase e bojkotoi punën e parlamentit për disa muaj, që nga arrestimet e pesë ligjvënësve të saj të dyshuar për pjesëmarrje në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit 2017 në parlamentin e vendit.
Kryetari i VMRO-së Hristijan Mickovski u tha gazetarëve se partia “do të gjejë mënyra për t’iu kundërvënë në mënyrë sa më efikase kësaj qeverie kriminale dhe të paaftë dhe politikave kundër shtetit që po zbatohen nga shumica parlamentare”.
Ai paralajmëroi se hapi i parë i grupit të ligjvënësve të partisë do të jetë ngritja e një mocioni votëbesimi ndaj qeverisë, sepse, siç tha, “bëhet fjalë për një qeveri që ka humbur besueshmërinë, që nuk punon për të mirën e qytetarëve dhe që po e shtyn vendin drejt humnerës”.
Z. Mickovski tha se gjatë periudhës sa nuk kanë qenë ligjvënësit e partisë së tij, parlamenti ka miratuar një duzinë ligjesh të rëndësishme pa u konsultuar me opozitën, siç është ligji për administratën, me çka, pushteti po përgatitet për revanshizëm partiak dhe përjashtime nga puna, sipas drejtuesit opozitar.
Partia konservatore VMRO-DPMNE ka 42 deputetë në parlamentin prej 120 vendesh. Një mocion votëbesimi kalon me shumicën e thjeshtë, prej 61 votash. Nga ana tjetër, koalicioni qeveritar ka gjasa të rritet.
Kryeministri Zoran Zaev po zhvillon këto ditë bisedime me partinë e turqëve, me dy krahët e Lëvizjes Besa dhe me Partinë Socialiste. Deputeti turk tashmë mbështet politikat qeveritare dhe nëse fraksionet e Lëvizjes Besa dhe tre deputetët socialistë hyjnë në qeveri, koalicioni qeveritar do të arrinte në shtatëdhjetë numrin e deputetëvë.
Megjithatë, kjo shumicë parlamentare e ka vështirë të sigurojë dy të tretat e votave në parlament për një sërë çështjesh, siç janë ndryshimet kushtetuese dhe ligje të tjera.