(Video) Qeveria e Maqedonisë fillon fushatën për referendumin


Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, së bashku me anëtarët tjerë të qeverisë dhe përfaqësues të partive politike të cilat janë deklaruar për mbështetje të referendumit, sot kanë filluar fushatën për siç thonë, njoftimin e qytetarëve për marrëveshjen me Greqinë.

Zoran Zaev tha se qëllimi i fushatës është që të njoftojë qytetarët për dobitë që sjell marrëveshja me Greqinë dhe referendumi i suksesshëm, njofton Telegrafi Maqedoni.

“Së bashku do të forcojmë trashëgiminë, dhe do të fitojmë perspektivë si anëtarë të NATO-s. Referendumi në Maqedoni do të mbahet me konsensus, sikur referendumi për pavarësi. Koha është që Maqedonia të shkojë më shpejtë drejt rrugës së drejtë. Debati në shoqëri është i rëndësishëm, por duhet të ngritet mbi përgjegjësinë e vendimit. E ardhmja e fëmijëve tanë është më e rëndësishme se çdo parti politike. Kjo është mundësi historike, që së bashku të shkojmë në etapën tonë të fundit në Evropë. Na kritikoni për marrëveshjen me Greqinë, por mos e lëshoni këtë mundësi që Maqedonia të bëhet pjesë e Evropës. Unë çdo herë kam vlerësuar kritikën konstruktive”, tha mes tjerash Zaev.

Ai ju bëri thirrje edhe Mickoskit edhe OBRM-PDUKM-së që të mbështesin referendumin, duke shtuar se Evropa dhe NATO janë mbi partitë politike.