(VIDEO) Intervistë nga Beogradi/ Osmani: Është koha e pajtimeve mes popujve


Bujar Osmani, është njeriu i dytë i Maqedonisë që viziton Beogradin pas shumë kohësh tensione.
Kirurgu shkupjan që ka marrë rol të rëndësishëm në negociatat për emrin e Maqedonisë beson se terapia për diagnozën e konflikteve të Ballkanit është veprimi i përbashkët për ta bindur Evropën.

Në kryeqytetin serb ka arritur me punë për ta takuar homologen e tij serbe si zëvendëskryeministër dhe ministër për Integrimin.

Bujar Osmani, Zv/Kryeministër i Maqedonisë: “Kjo kohë e pajtimit ndërmjet popujve është një kohë e shtrirjes së dorës së pajtimit. Shoh që mes shqiptarëve dhe serbëve në rajon, shqiptarëve dhe maqedonasve po ndodh përmes bullgarëve, maqedonasve, grekëve e kështu me radhë. Është koha që të mos harrojmë të kaluarën asesi se mësojmë nga ajo, po është koha të përkushtohemi për të ardhmen dhe të shtrijmë dorën e pajtimit. BE-ja është projekti më i suksesshëm në historinë e njerëzimit. Pikërisht si motiv kryesor e ka pajtimin, bashkëpunimin dhe progresin e përbashkët”.

Në pritje të strategjisë së BE-së për Ballkanin thotë se ky vit është çelësi që nuk do të vijë kurrë.

Bujar Osmani: “Është kjo vizitë në kuadër të një turneu ballkanik, që e bëj disa ditë para publikimt të strategjisë së zgjerimit që do të jetë më 6 Shkurt nga presidenti Junker dhe Komisioni Europian. Është ky një dokument historik, i paprecedentë. Për herë të parë publikohet një dokument , i cili jep prespektivë realisht Ballkanit Perëndimor dhe unë mendoj që duhet të jemi të koordinuar si vende të Ballkanit Perëndimor, për të mbajtur dhe për të kapur këtë mundësi historike. Ne shpresojmë se do të japë thjesht një hapësirë për proges të gjitha vendeve pa i ndarë ato në të favorizuara dhe të paforizuara dhe koordinimi dhe sinkronizimi i vendeve tona do ta ndihmonte këtë proces. Ende zhvillohet debati ndërmjet shteteve anëtare të BE-së se si do të jetë teksti final i strategjisë për zgjerim dhe mendoj që sa më të koordinuar të jemi ne bashkë në kuadër të rajonit, aq më mirë do të dalim para BE-së, për shkak se janë disa ende që për momentin hezitojnë për dinamikën ose për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor”.

Për Shkupin dyert i hap emri. Për shqiptarët thotë se është e rëndësishme që emri të pasqyrojë edhe përbërjen demografike të shtetit shumëetnik që përgjigjen e ka me Athinën. Osmani ka qenë pjesë e negociatave të Shkupit për të zgjidhur konfliktin 25-vjeçar, që në histori do të futej si viza e këtij shteti për të bërë progresin më të madh që pas marrjes së statusit të vendit kandidat para më shumë vitesh.
Bujar Osmani: “Unë mendoj që shqiptarët janë shumë të interesuar se si do të quhet Maqedonia. Emri i Maqedonisë duhet të reflektojë realitetin demografik në vend dhe prandaj ne jemi pjesë e këtyre bisedimeve. Por për ne është shumë me rëndësi të zgjidhet, të mbyllet kjo çështje, për shkak se po bllokon integrimin në NATO dhhe për ne NATO është si të jesh apo të mos jesh. Është çështje ekzistenciale për shtetin, është çështje ekzistenciale për popujt që jetojnë brenda, përfshi këtu edhe shqiptarët. Duke analizuar kontekstin polit dhe gjeopolitik dhe duke i njohur rrethanat vlerësojmë se kjo është dritare e artë e mundësisë për vitin 2018 dhe nuk do kemi një vit tjetër të ngjashëm , ku mozaiku do të jetë i kompletuar për të bërë një progres edhe për BE-në edhe për NATO-n”.

Osmani beson se ligji për gjuhën nuk ka alternativë. Maqedonasit përfitojnë besnikëri nga shqiptarët nëse trajtohen si të barabartë. Është koha që konflikteve t’u jepet fund.

Bujar Osmani: “Nuk janë vetëm shqiptartë fitimtarë me Ligjin për Gjuhët. Është i gjithë vendi fitimtar. Maqedonia bazohet në marrëdhënie ndëretnike, stabiliteti i Ballkanit Perëndimor bazohet në marrëdhëniet e mira ndëretnike. Ne i kemi marrë si të mirëqena këto, për shkak se kohëve të fundit janë më të relaksuara, por mos të harrojmë se marrëdhëniet ndëretnike duhen kultivuar çdo ditë, se po i lamë një ditë pa trajtuar mirë, ato mund të devijojnë dhe mund të rrezikojnë vendin. Ligji i Gjuhës është aprovuar në vitin 2001, kur është aprovuar Marrëveshja e Ohrit. Atëherë është përcaktuar korniza e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ne tani vetëm po implementojmë një marrëveshje që është bërë para 17 viteve. Ashtu që kjo do të relaksojë marrëdhëniet ndëretnike, do të rrisë kohezionin e brendshëm ndërmjet komuniteteve në vend dhe do ta bëjë vendin më të fuqishëm karshi botës. Këshu që nuk do thoja që është vetëm interes dhe shqiptarët do dalin fitimtarë. Do dalin edhe maqedonasit, për shkak s ata nuk do të humbin asnjë gjë. Ata do të fitojnë bashkëqytetarë të cilët janë më lojalë, më të kënaqur, janë më të përkushtuar për progresin e vendit”.

Osmani thotë se marrëdhëniet me Serbinë po përmirësohen dhe ekziston një bazë e mirë për të ngritur raportet bilaterale larg konflikteve që u krijuan për shkak të qëndrimeve të këtij shteti ndaj çështjes së Kosovës në UNESKO./abcnews.al