“Vetëm” 41 deputet të opozitës kanë nënshkruar për ta rrëzuar Qeverinë Zaev


Edhe pse VMRO-DPMNE njoftoi për dorëzimin e iniciativës për votëbesimin e Qeverisë, në web faqen e Kuvendit ende nuk është caktuar dita se kur do të mbahet kjo seancë. Iniciativa e VMRO-DPMNE-së fillimisht u paralajmërua nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, si parakusht për kthimin e deputetëve të opozitës maqedonase në aktivitetet e Kuvendit dhe votimin e ligjeve reformatore që vendi të marrë rekomandim pozitiv në raportin e KE-së që pritet të publikohet më 17 prill.

Megjithatë, në deklaratat e tij, kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, është shprehur se të mërkurën, kur sipas rregullores duhet të mbahet seanca e votëbesimit, Qeveria aktuale e Zoran Zaevit do të bjerë.

Edhe pse për këtë do t’i duhet shumicë votash prej 61 deputetësh. Ndërsa, është e ditur se VMRO-DPMNE me koalicionin e saj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, fitoi vetëm 51deputet.

Mirëpo, Amdi Bajram nga Lidhja e Romëve të Maqedonisë, Jusuf Hasani nga Partia Demokratike e Turqve dhe Panço Minov nga GROM veçmë janë larguar nga koalicioni me VMRO-DPMNE-në. Po ashtu, VMRO-DPMNE-së, do ti mungojnë edhe deputetët të cilët janë të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit, por edhe një deputete e cila është në pushim të lindjes.

Sipas kësaj situate, VMRO-DPMNE nga partia e saj dhe partnerët e koalicionit do të ketë në dispozicion vetëm 41 vota.

Nga ana tjetër, LSDM në zgjedhjet e parakohshme parlamentare fitoi 49 deputetë. Ndërsa, shumicën parlamentare për formimin e Qeverisë e bëri në koalicion me 10 deputetët e BDI-së dhe tre të Aleancës për shqiptarët, e cila më vonë u tërhoq nga Qeveria. Qeverisë së Zoran Zaevit mbështetje për ligjet reformatore të cilat do ti hapin vendit rrugën e anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO i dhanë edhe pesë deputetët e grupit parlamentar të Lëvizjes BESA.

Kështu që sipas rregullores për punën e Kuvendit Seanca për interpelancën e Qeverisë do të duhet të mbahet të mërkurën, ndërsa gjasat që VMRO-DPMNE të mund të rrëzojë Qeverinë janë shumë të vogla, duke marrë parasysh faktin se i duhen 61 deputetë. /SHENJA/