Vendi bosh i ministrit të Shëndetësisë, ngecin reformat


Vendi bosh i ministrit të Shëndetësisë ka bërë që shumë reforma të paralajmëruara nga ish ministri Taravari, të shënojnë ngecje. Një ndër to është edhe përpilimi i ligjit të ri për kujdes shëndetësor, i cili që para zgjedhjeve lokale e deri më tash ka mbetur status quo. Prindërit e fëmijëve me nevoja të posaçme dhe shoqata të ndryshme joqeveritare kërkojnë që zv.ministri, në mungesë të ministrit, të vazhdojë proceset e mbetura përgjysmë, duke thënë se edhe zëvendësi gëzon kompetenca të shumta.

“Inkluziva” ishte pjesëmarrëse e grupeve të punës në ministrinë e Shëndetësisë, por që atëherë kur ish ministri u bë kryetar komune punët janë bllokuar, nuk ka asnjë përparim në këtë drejtim. Nevojat më të mëdha qe ne i kemi në ndryshimin e ligjit për shëndetësi, janë participimi i qëndrimit të fëmijëve në spitale ku pagesa bëhet si qëndrimi në hotel, të mos flasim për ilaçe që Fondi nuk i posedon. A është ministër apo zv/ministër nuk ka rëndësi për ne. Neve na duhet person i cili do të fillojë ndryshimet në ligjin për shëndetësi. Atë funksion mund ta kryej edhe zv/ministri. Për ne si prindër që kemi fëmijë me nevoja të veçanta, këto reforma janë më se urgjente– deklaroi Anita Cvetkovska, Shoqata “Inkluziva”.

Nga ministria e Shëndetësisë refuzojnë të pranojnë se ka ngecje të reformave, duke thënë se çdo gjë funksionon në mënyrën e duhur.

Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi punon dhe nuk ka asnjëfarë ndërprerje të punës dhe zbatimit të reformave të paralajmëruara nga ana jonë- bëjnë me dije nga Ministria e Shëndetësisë.

Në pritje të negociatave politike, dikasteri i Shëndetësisë assesi të ketë drejtuesin e tij të ri. Pacientët e prekur nga sëmundjet e rralla për muaj me radhë janë pa terapi, ndërkaq edhe një sërë reformash tjera presin zgjedhjen e ministrit për të filluar zbatimin. Gjatë gjithë muajit të kaluar kryeministri Zaev pati deklaruar se zgjedhja e ministrit të Shëndetësisë është çështje ditësh por edhe pas disa javësh, ky dikaster ende mbetet pa drejtues./Alsat-M/