Vdekja e lehonës, heshtje për përmbajtjen e raportit


Ministria e Shëndetësisë as sot nuk publikoi raportin zyrtar të Institutit të Mjekësisë Ligjore si dhe të Komisionit të formuar lidhur me rastin e lehonës 31 vjeçare nga Kërçova, e cila ndërroi jetë gjatë lindjes në Spitalin privat “Sante Plus”.

Raporti i këtyre dy organeve për shqyrtimin e këtij rasti është gati prej një javësh dhe të njëjtin e posedon ministria e Shëndetësisë, por për shkaqe të panjohura i njëjti nuk publikohet për opinionin. Jozyrtarisht flitet se raporti mjeko-ligjor ka treguar se vdekja e 31vjeçares ka ardhur si pasojë e vendosjes së anestezionit në organ të gabuar. Nga dikasteri i Shëndetësisë as nuk e mohojnë e as e pranojnë këtë informacion.

Gjatë ditës së djeshme i pari i Shëndetësisë Filipçe tha se do të publikohej raporti por një gjë e tillë nuk ndodhi. Ai nuk komentoi raportin e obduksionit duke thënë se i njëjti është pjesë e hetimeve të Prokurorisë.