Vazhdojnë bisedimet LSDM- VMRO, nuk zbulohen detaje për opinionin


Vazhdojnë takimet e grupeve punuese të VMRO-DPMNE-së dhe të LSDM-së , me qëllim të arritjes së një kompromisi për votimin e ligjeve që kërkojnë 2/3 e votave në Kuvend. Bisedimet po zhvillohen larg syve të opinionit. Edhe pse asnjëra palë nuk jep detaje në lidhje me ecurinë e bisedimeve, mësohet se përveç planit 3-6-9, mes pozitës dhe opozitës bisedohet edhe për Ligjin për përdorimin e gjuhëve si dhe për Ligji e dëshmitarëve të mbrojtur. Të kontaktuar nga Alsat, nga VMRO-DPMNE thonë se për shkak të ndjeshmërisë së bisedimeve nuk mund të japin detaje nga takimet me LSDM-në, se për cilat ligje deri më tani janë dakorduar e për cilat nuk po gjejnë gjuhë të përbashkët. Partia më e madhe opozitare thotë se kthimi i deputetëve të saj në Parlament gjithashtu varet nga pikërisht këto bisedime pas bojkotit në shenjë revolte për burgosjen e deputetëve të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

Edhe zyrtarët nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë që janë pjesë e grupit punues, hezitojnë të japin informacion nëse nga këto bisedime është arritur ndonjë marrëveshje me VMRO-DPMNE-në. Në mungesë numrave, LSDM-ja kërkon ndihmën e VMRO-së që këta të fundit të sigurojnë shumicën gjatë miratimit të ligjeve që kërkojnë 2/3 e votave. LSDM gjithashtu ka shprehur gatishmëri që të zgjerojë koalicionin qeverisës me qëllim të sigurimit të një shumice stabile.

Ndërkaq nga BDI-ja mohojnë të kenë zhvilluar takime ne përfaqësues të VMRO-DPMNE-së. Ata thonë se të përditshme janë takimet me partnerët e koalicionit me qëllim të harmonizimit të qëndrimeve. / Alsat – M