Vajgl: Ivanov nuk duhet të përfaqësojë vetëm partinë e tij, por të gjithë qytetarët


Eurodeputeti dhe raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian, Ivo Vajgl, ka komentuar qëndrimin e presidentit Gjorge Ivanov, në lidhje me marrëveshjen me Greqinë, duke thënë se BE-ja në disa raste ka dërguar mesazhin se Maqedonia duhet të shikojë drejt të ardhmes.
Vajgl në një deklaratë për AIM, tha se Ivanov nuk duhet ta përfaqësojë partinë e tij politike, dhe se duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.

“Detyrë e politikës, partive politike dhe presidentit të shtetit është që të kujdesen për perspektivën e gjeneratave të reja. Kjo perspektivë sigurisht është me anëtarësim në BE dhe NATO. Kështu pra nuk ka dilema se si duhet të jetë qëndrimi i presidentit të shtetit, i cili nuk duhet të jetë përfaqësues i partisë së tij, por i gjithë qytetarëve”, ka potencuar Vajgl.

Përndryshe, sot deputetët e Kuvendit të Maqedonisë ratifikuan marrëveshjen për emrin me Greqinë dhe të njëjtën e dërguan tek presidenti, i cili ka afat prej shtatë ditëve për ta nënshkruar.