UNT, katër programe të reja deri-diplomike dhe shtatë master


Universitetit “Nënë Tereza” në qytetin e Shkupin do t’i shtohen katër programe të reja studimi për ciklin e parë dhe shtatë programe për studime të ciklit të dytë për vitin e ri akademik 2018/2019. Nga 21 programe studimore të cilat i disponon momentalisht, prej vitit tjetër akademik në fakultet e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, pritet të shkojë në 25 numri i përgjithshëm i programeve studimore, pra katër programe krejtësisht të reja deri diplomike dhe risia tjetër është hera e parë e hapjes së studimeve master në këtë universitet. Lajmin për gazetën KOHA e ka bërë të ditur rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, sipas të cilit, akreditimi pritet të ndodhë brenda dy ditësh.

“Ne kemi bërë deri tani akreditimin e disa programeve të reja, dhe sot mund të themi se nga ato që i kishim vjet 21, tani i kemi tre programe plotësuese dhe një është në pritje… presim akreditim këto dy ditë. Në programin e shkencave teknologjike do të hapen dy programe të reja, njëra është agro-inxhinieria që është profil për bujqësi, programi tjetër tre vjeçar është tekstili me dizajn dhe modelim me të cilin do të realizojmë ëndrrën e shumë të rinjve të cilët në shkollime joformale kanë shprehur zell. Dhe programi tjetër është në atë të shkencave informatike përveç dy programeve ekzistuese, do të kemi programin për programin aplikativ tre vjeçar”, deklaroi Pollozhani.

Këtë vit akademik, sipas Pollozhanit, fillojnë edhe regjistrimet në ciklin e dytë të studimeve në shumë drejtime atraktive. Çmimet për studimet master ende nuk janë caktuar, por pritet të jenë të kapshme për xhepin e çdo qytetari, tha mes tjerash ai. “Kemi edhe gjashtë programe tjera në shkencat e ndryshme për master. Kemi programin media dhe komunikim, politikë dhe sociale, ekonomia inxhinierike e menaxhimit industrial, sport dhe shkenca sportive, inxhinieri softuerike e aplikuat në gjuhë shqipe dhe angleze”, tha ai.

Për momentin, në UNT funksionojnë pesë fakultete me 21 programe studimore edhe atë Fakulteti i ndërtimtarisë dhe arkitekturës, i shkencave të informatikës, shkenca teknike, shkenca sociale dhe shkenca teknologjike.(KOHA.MK)