Ues Miçel të martën në Shkup, të enjten në Athinë


Ndihmës i sekretarit shtetëror amerikan për Evropën dhe Euroazinë, Ues Miçel, vjen në nesër në Shkup me mesazhe të qarta. Mbështetje të fuqishme nga SHBA-të për aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë dhe për negociatat të cilat Maqedonia po zhvillon me Greqinë për kontestin e emrit, por edhe një apel te Qeveria e Shkupit për zbatimin e reformave për përforcimin e demokracisë, sundimit të së drejtës dhe lirisë së mediave.

Miçel në Shkup nesër do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev dhe me ministrin e Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov.

Për kontestin me emrin pritet të bisedohet edhe në takimet që ndihmësi i sekretarit shtetëror amerikan më 15 mars në Athinë do të ketë me përfaqësuesit e Qeverisë së Greqisë. Sipas paralajmërimit nga Stejt departamenti, Miçel me autoritetet greke do të bisedojë edhe për thellimin e marrëdhënieve midis SHBA-ve dhe Greqisë, përforcim të bashkëpunimit dypalësh, veçanërisht në fushat e mbrojtjes, energjetikës, tregtisë dhe investimeve.

Miçel prej sot fillon turneun e tij në vendet e Ballkanit, e cila do të zgjasë deri më 17 mars. Ai sot mbërrin në Prishtinë, ndërsa nesër në Shkup dhe më pas do të vizitojë Beogradin, Athinën dhe Nikoznë.