U formua Grup ndërmjet resorësh për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve


Qeveria në mbledhjen e sotme solli vendim për formimin e Grupit ndër resorësh të punës për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Siç informoi shërbimi qeveritar për shtyp, disa nga obligimet që do t’i ketë ky trup përfshijnë përgatitjen e Planit të aksionit për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në afat prej 15 ditëve prej ditës së hyrjes në fuqi të vendimit, ndjekjen e dinamikës së realizimit dhe implementimit të Planit të aksionit, dhënien e udhëzimeve për institucionet në funksion të koordinimit, organizimit, implementimit dhe operacionalizimit të masave dhe aktiviteteve në pajtim me atë plan.

Në pajtim me vendimin qeveritar anëtarë të Grupit ndër resorësh të punës janë sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, zëvendësi i sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, sekretari i përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë, sekretari shtetëror në Ministrinë e Financave, sekretari shtetëror në Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes kornizë, sekretari i Sekretariatit për legjislaturë, një përfaqësues nga Zyra e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe një përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.