Thaçi: Procesi euro-atlantik, prioritet absolut i PDSH-së


Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi sot në selinë e partisë priti në takim zyrtarët për çështje politike pranë Ambasadës së SHBA-së në vend, Paul Gradon dhe Diva Hakins.

Në takim u bisedua për zhvillimet e fundit në vend, si dhe për ecurinë e reformave që Maqedonia duhet ti përmbush drejt proceseve integruese.

Thaçi theksoi urgjencën e zgjidhjes së kontestit të emrit me që do të mundësonte anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke potencuar se procesi euro-atlantik është prioritet absolut për Partinë Demokratike Shqiptare dhe shqiptarët e Maqedonisë.

Thaçi gjithashtu potencoi se PDSH do të jetë konstruktive dhe do të përkrah çdo nismë institucionale që ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve, me reformat e mirëfillta si dhe me de-bllokimin e proceseve integruese.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që duhet të jepet kontribut maksimal për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike dhe se në këtë drejtim rikthimi i dialogut të mirëfilltë politik është me rëndësi të veçantë, ku të gjitha palët duhet të mbajnë pjesën e tyre të përgjegjësisë dhe të ndihmojnë lëvizjen e proceseve përpara drejt integrimit në NATO dhe BE.