Tevdovski: Të ardhurat në Buxhet deri në nëntor më të mëdha për 4,4 për qind


Të ardhurat dhe hyrjet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë për dhjetë muaj e vitit janë në suaza të pritjeve për këtë periudhë, ndërsa pagesat e shpenzimeve janë realizuar rregullisht dhe në kohë.

Këtë e theksoi ministri i Financave Dragan Tevdovski sot duke e elaboruar Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet. Tha se të ardhurat e përgjithshme janë realizuar në vlerë prej 146,4 miliardë denarë apo 79 për qind, gjegjësisht ato janë më të larta për 4,4 për qind në krahasim me ato në këtë periudhë nga viti paraprak. Nga kjo shumë, 87 miliardë denarë janë të ardhura tatimore, të cilat shënojnë rritje prej 3,4 miliardë denarë apo katër për qind më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Të ardhurat nga TVSH-ja janë realizuar për 1,9 për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë në vitin 2016, gjegjësisht arritën nivel prej 39,9 miliardë denarë dhe të njëjtat dominojnë në strukturën e të ardhurave tatimore me 45,9 për qind. Të ardhurat nga tatimi personal i të ardhurave në periudhën janar-tetor të vitit 2017 janë paguar në vlerë prej 12 miliardë denarë, që paraqet rritje prej 7,5 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Në të njëjtën periudhë janë paguar të ardhura nga tatimi i fitimit në vlerë prej 9,9 miliardë denarë dhe janë për 10 për qind më të larta në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Më të larta nga të planifikuarat janë të ardhurat nga akcizat edhe në dhjetë muajt nga vitit 2017 ata kanë arritur nivel prej 19,3 miliardë denarë, që është për 4,1 për qind më shumë se vitin e kaluar.