Tetovë, 500 metra rrugë, nuk mund të ndërtohen për 5 muaj


Rruga “Murat Baftiari” ka ngelur e përgjysmuar dhe punët në këtë rrugë janë duke ecur me rritëm shumë të ngadaltë, Komuna e Tetovës thotë se gjithçka është duke shkuar sipas planit, ndërkaq banorët ankohen se disa muaj nuk është mbaruar projekti, shkruan Portalb.mk.

Vetëm pesëqind metra rrugë nuk mund të ndërtohen për më shumë se pesë muaj, gjegjësisht prej 31 marsit –  kjo është gjendja dhe situata në rrugën “Murat Baftiari” në Tetovë.

Nga Komuna e Tetovës thonë se punët janë në afatin e caktuar kohor, dhe se çdo gjë është duke shkuar në bazë të planit.

“Për momentin punimet janë duke u zhvilluar si duhet, në suaza të normales dhe afatit kohor, ka intervenime te disa gypa të cilët duhet të rregullohen dhe të bëhet vendosja e instalimit elektrik sipas projektit e më pas të fillojë edhe tamponizimi i rrugës”, thonë  nga Sektori për Rrugë dhe Tokë Ndërtimore.

Por në anën tjetër qytetarët vazhdojnë të jenë të irrituar nga ky veprim. Ata pyesin komunën e Tetovës edhe sa kohë u duhet për të ndërtuar një rrugë   dhe janë të bindur se edhe pas pesë muajve punë e njëjta do të ndërtohet me shumë mangësi.

“Nuk mund ta kuptojmë se edhe sa muaj u duhet për të ndërtuar një rrugë, pranvera dhe vera na kaloi në pluhur dhe të bllokuar, nuk mund të dalim as nga shtëpia jonë, nëse vetëm për një rrugë punët zgjasin aq shumë  mund të mendojnë se sa kohë do t’u duheshin për punë më të mëdha” thotë Samir Beqiri.