Tensioni në gjykatë, Basha thirrje deputetëve: Merrni fatin në dorë, ndaloni të droguarin


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha reagon sërish lidhur me tensionin e krijuar në Gjykatën e Tiranës, ku pritet të jepet masa e sigurisë për 23 protestuesit e arrestuar lidhur me tarifën në Rrugën e Kombit.

Ai thotë se protesta e Kukësit nxori fytyrën e vërtetë të një regjimi kriminal që siç thotë ai, qëndron në pushtet përmes manipulimit dhe forcës.

Sipas tij, sot është e qartë se Edi Rama ka privatizuar shtetin dhe kontrollon të gjitha pushtetet policinë, prokurorinë dhe gjykatat.

“Fasada ka rënë. Propaganda ka rënë. Tani të gjithë shohin lakuriq një regjim privat kriminal që nuk ka lidhje me demokracinë, me shtetin ligjor me vlerat europiane. Ka katër ditë që qeveria, policia, prokuroria dhe sot gjykata po dhunojnë dhe shkelin të drejtat e qytetarëve të pambrojtur vetëm pse ngritën zërin kundër qeverisë. Sot po bëhet gjykimi i tyre sikur të ishin organziatë mafioze, me dyer të mbyllura dhe nën masa policore që tregojnë friken e Edi Rames nga populli. Sot deputetët e opozitës janë ndaluar me dhunë të hyjnë në sallën e gjyqit, sikur të ishin kriminelë”, shkruan Basha në Facebook, ku publikon dhe pamje nga tensioni në gjykatë.

Ai shton se akti i fundit i degradimit të çdo pushteti është kur kthehen kundër popullit të tyre dhe se sot të gjithë po kuptojnë që një regjim që mbështetet mbi drogën dhe krimin prodhon dhunë dhe përplasje.

“Sic e pa çdo shqiptar para pak ditësh, Edi Rama ka humbur çdo kontroll nën efektin e substancave që merr”, thotë ndër të tjera kreu i demokratëve.

Ai u bën thirrje të gjithë shqiptarëve dhe atyre deputetëve të ndershëm socialistë, që të marrin situatën në dorë dhe të mos lejojnë një aventurier të droguar që ka humbur kontrollin të krijojë përplasje me njerëzit dhe ta çojë vendin drejt një spiraleje dhune për interesat e pasurisë dhe pushtetit të tij e të kriminelëve qe e rrethojnë. /a.y/noa.al