Tensione në Ballkan, Kroacia shpall non grata ministrin serb


Çdo ditë e më shumë raportet ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë po përkeqësohen edhe më shumë. E gjithë përplasja ndodhi pas djegies së flamurit kroat nga Sheshel dhe pas disa deklaratave të ministrit serb, Vulin që nuk i kanë pëlqyer liderëve kroatë.

Gjatë një akademie përkujtimore për viktimat në kampin Jasenovac, Vulin kishte thënë se për të shkuar në Kroaci, nuk i pyet ministrat kroatë, por Vuçiçin.

“Sigurisht që këto ditë nuk do të shkoja në Jasenovac. Do të shkoja vetëm ku ka serbë, pasardhës të viktimave.

Dhe ai që do të vendoste është komandanti suprem i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e jo ministrat kroatë”, -tha dje Vulin.

Ministria e Jashtme e Kroacisë ka njoftuar mbrëmë vonë se deri në një vendim tjetër,Vulin është “persona non grata” (person i padëshiruar) në shtetin kroat.

Ndaj këtyre deklaratave reagoi edhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

“Kushdo që vjen këtu duhet ta respektojë shtetin kroat, dhe deklaratat ofenduese për momentin nuk janë zgjidhja më e mirë”, tha Plenkoviq. /albeu.com/