Të dënuarit e “Kumanovës”, me kërkesë të tyre po transferohen nga paraburgimi në burg


Të dënuarit e rastit “Kumanova” për shkak të kushteve, kanë kërkuar që të transferohen nga paraburgimi në burg, edhe pse ende Gjykata e Apelit nuk e ka konfirmuar dënimin e shkallës së parë, gjegjësisht të Gjykatës Themelore.

Siç mëson Portalb, disave të dënuarve u është pranuar kërkesa dhe tanimë janë transferuar në Burgun e Idrizovës.

“Po është e vërtetë, dje i dënuari Nasuf Beqiri, ka kërkuar nga unë që ta nënshkruajë kërkesën, pra të shkojë prej paraburgimit në burg edhe pse ende nuk ka hyrë në fuqi dënimi. Sa di unë ka edhe të tjerë që kanë kërkuar”, thotë avokati Mefail Arsllani.

Edhe avokati Naser Raufi thotë se nuk ka pengesë juridike që të dënuarit të transferohen nëpër burgje, për shkak të kushteve më të mira.

“Kemi kërkuar që moti që të dënuarit të dërgohen nga paraburgimi në burgje, pasi që kushtet janë më të mira, 3 vjet e gjysmë u bë paraburgimi, s’ka kuptim më. Sa e di unë, dje janë dërguar 5 të dënuar në Idrizovë. Juridikisht asgjë nuk na pengon, ashtu e kemi bërë edhe te “Monstra”. Pra me këtë, nuk do të thotë që ata do ta vuajnë dënimin, por vetëm do të qëndrojnë në Burgun e Idrizovës. Siç kam informata unë, pesë nga pesë do t’i mbledhin dhe do t’i dërgojnë në Idrizovë”, thotë Raufi

Nga Gjykata Themelore e konfirmojnë se ka të dorëzuara kërkesa të tilla dhe për të njëjtat ëshë duke u vepruar.

“Ka kërkesa të tilla, disa prej tyre janë miratuar dhe për të tjerat do të vendoset. Nuk kemi numër të saktë se sa janë pranuar dhe sa janë dorëzuar”, thotë për Portalb.mk, zëdhënësi i Gjykatës Penale, Dejan Ristovski.

Ndryshe, ndonëse kanë kaluar thuajse 8 muaj që nga vendimi i shkallës së parë, lënda ende nuk është dërguar në Gjykatën e Apelit, pasi që pala mbrojtëse e ka ankimuar vendimin.

Arsyetimi i Gjykatës së Apelit ishte se lënda është mjaft e madhe, por edhe se nuk kanë arritur që t’i përkthejnë të gjitha materialet.

Sipas informatave të Portalb.mk, Gjykata e Apelit pritet që të mbajë seancë në të cilën do të duhet që të deklarohet për vendimin e shkallës së parë në tetor.

Ndryshe, më 2 nëntor të vitit 2017 u dha vendimi gjyqësor për rastin “Kumanova” me të cilin grupi që luftoi me forcat e sigurisë së Maqedonisë më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e Trimave të Kumanovës, u dënua me 7 shekuj e gjysmë burg dhe 7 dënime me burgim të përjetshëm. Pas këtij vendimi të Gjykatës Penale, kishte edhe protesta të shumta në Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe diasporë.

Për shkak se vazhdimisht është folur në opinion, por edhe nga vetë të dënuarit se ka dyshime për inskenim të këtij rasti nga ish pushteti i Nikolla Gruevskit, për të njëjtin është kërkuar edhe hetim ndërkombëtar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Aleanca për Shqiptarët, është paralajmëruar nga Ministria e Punëve të Brendshme, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, në Prishtinë, Behxhet Shala, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti slloven Borut Pahor, thirrje të tilla ka pasur edhe nga eurodeputetët, zyra e të Drejtave të Njeriut në OKB, Kosovë, Shqipëri, figura të tjera politike dhe ekspertëve për çështjet e brendshme. Për të njëjtën deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë hap.

“Lagjja e Trimave” është një nga rastet më të mëdha të historisë moderne të Maqedonisë që është kualifikuar nga Gjykata Themelore e Maqedonisë si terrorizëm, ku si pasojë e së njëjtës kanë humbur jetën 8 policë dhe 37 të tjerë janë plagosur, ndërkaq nga pala tjetër që kanë luftuar me forcat policore janë vrarë 10 persona. Edhe pas tre vjetëve nga ngjarjet e armatosura, edhe pse ka vendim gjyqësor me të cilën janë dënuar grupi i “Kumanovës”, ende nuk është e pastër e vërteta – nuk dihen porositësit.