Taravarit i kthehen ingerencat në arsim


Ingerencat në sferën e arsimit që iu morën kryetarit të komunës së Gostivarit në nivel lokal i janë kthyer. Në ndërkohë do të shqyrtohen edhe parashtresat për parregullsitë që janë bërë, kanë informuar nga Komuna.

“Fatkeqësisht, kaluan 9 muaj të plotë të mosfunksionimit të arsimit të mirëfilltë në Gostivar. Për 9 muaj të tërë, pushteti aktual, në mënyrë të qëllimshme tentoi që ta degradojë edhe më tepër procesin arsimor në Gostivar. Si pasojë e këtyre tendencave kanë humbur gjeneratat e reja, nxënësit e Gostivarit dhe të rrethinës. Për qëllime politike po merren në qafë gjenerata të tëra, për çka dikush duhet të përgjigjet. Nuk mund të shpjegohet ndryshe qëllimi që vetëm në Gostivar të mos lejohet menaxhim i shkollave nga ana e vetëqeverisjes lokale ashtu siç parasheh ligji. Nuk mund të shpjegohet ndryshe vendimi që vetëm Gostivarit t’i merren ingerencat, kur edhe kryetarë të tjerë vepruan njësoj, por nuk u intervenua”, tha Aslian Snopçe, udhëheqëse e sektorit për veprimtari publike pranë Komunës së Gostivarit.

Nga ana e qeverisë, shton ajo, në mënyre flagrante po shkelet vullneti i qytetarëve të Gostivarit, që është një veprim eklatant antidemokratik.

“I parashtrojmë pyetje ministrit te arsimit, ku ka qenë për 9 muaj gjatë marrjes se kompetencave? Vallë nuk pati kohë të paktën një herë ta vizitoje Gostivarin dhe të shohë se në çfarë gjendje janë shkollat në Gostivar?”, ka shtuar Snopçe.

“Ne si Komunë çdoherë do të angazhohemi të kemi arsim me njerëz profesionist dhe jo arsim te partizuar me ushtarë partiak siç është rasti tani ne Komunën e Gostivarit. Ne e dëshmuam këtë edhe në momentet përpara marrjes se ingerencave. Ato dëshmi i kemi dhënë në konferencat e mëparshme për shtyp”, nënvizojnë nga Komuna e Gostivarit.