Taravari: Zaev BE-ja është e qartë, fillo reformat!


Arben Taravari
Bashkimi Evropian vendosi që të shtyjë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në këtë insitucion.
Megjithë terminologjinë elegante, me shkallën e lartë të mirësjelljes politike, shkallë të cilën ne këtu në Maqedoni e kemi ende të panjohur, thjesht nuk e kuptojmë, zyrtarët evropianë thanë: nuk ulemi për kafe!

Ky parifrazim ballkanik i shkon më për shtati asaj që ndodhi midis raportit të Maqedonisë me BE-në.
Disa zëra politikë, sidomos ata që janë në anën nga peshon pushteti, e brohoritën këtë lajm si fitore, sukses, triumf e nuk lanë lajthitje euforike pa ia qepur refuzimit evropian!
Disa të tjerë, të cilët edhe pse qëndrojnë krah për krah me pushtetin, thanë nëpër tavolina kafenesh të errëta, veshur me tym, e me telefona të fikur nga fobia e përgjimit, të veshur kahmoti me strategjinë e gjarprit, se- dështoi Zaevi- duke harruar që duke qenë në të njëjtën qeveri me Zaevin deklaronin dhe dështimin e tyre, por më keq se kaq, harrojnë se kur dështon Zaevi, nuk ka dështuar një burrë relativisht i ri, me ambicien politike më të lartë se mundësitë, po ka dështuar i madh dhe i vogël në Maqedoni!

Disa të tjerëve, të dorëzuar tek orakujt e kiromantëve, ja kishte parë filxhani më përpara se puna e fejesës me Evropën dhe Ballkanin do shtyhej nga krushqit perendimor, që nuk pëlqejnë disa vese të nuses…
Kurse unë personalisht funksionoj kryesisht me logjikë të pastër, sadoqë do më pëlqente shumë që punët të m’i zgjidhte ndonjë shkop magjik, por për fat të keq gjithnjë më është dashur të gjykoj ftohtë, saktë e më pas të luftoj për të zgjidhur problemet që më janë shtruar në rrugë!
Kështu, pak a shumë e dija se çfarë përgjigje do kishte Evropa për çështjen e negociatave, duke analizuar mjegullnajën politike që ka pasur në Maqedoni të paktën!

Kam shkruar disa herë për fiaskon e “reformave”, por qeveria vazhdonte dhe ecte përpara në rrugën e saj, që në fakt ishte largim nga negociatat për anëtarësim!
Evropa priste reforma, por Evropa nuk të kap për dore dhe të tregon cilat janë ato, ndaj lanë e panë se çfarë do bënte kjo qeveri që erdhi me bujën e një ekipi të ri, por që ra pré e emrave të vjetër!
Këta nuk janë emra nënpunësish, as inxhinierësh, ekonomistësh, juristësh, mekanikësh, pastruesish apo kuzhunierësh, jo! Këta janë katër-pesë emra që kanë kapur shtetin peng, dyshoj dhe Zaevin madje, mbajnë peng fatin tonë!
Mirëpo ne, të mësuar me këtë sistem psikopatik të jetës, të frustruar deri në fazën e dorëzimit, pranuam teorinë që politikanët na gënjejnë ama ne s’kemi çfarë ju bëjmë!

Ky pohim na ka sjellë në këtë gjëndje ku jemi sot, që edhe ata që janë të punësuar duan të ikin!
Të kemi frikë patologjike nga fuqia e 4-5 vetave…fuqi të cilën ia kemi dhënë po ne!
Mirëpo Evropa nuk ka frikë, sigurisht që jo!
Evropa iu mbylli derën, por më shumë se kaq, la një mesazh të qartë për të gjithë ne me Zaevin në krye: Hiqini emrat e vjetër që janë të përlyer! Ata që dikur janë të akuzuar nga grupi i Zaevit nuk mund të jenë bashkëpunëtor!
Ky është paradoksi që Evropa nuk e pranoi, kurse ne dhe Zaevi e duruam!
Zaev, mesazhi të erdhi, fillo reformat, mos kij frikë nëse je në rrugë të drejtë, largoji ata që para pak kohësh i denoncoje si të inkriminuar!
Ti mundesh z.Kryeministër!