Taravari: Ligji për “shqipen” u miratua falë guximit dhe trimërisë së Ziadin Selës


Kryetari aktual i Komunës së Gostivari, Arben Taravari uroi votimin e ligjit në Kuvend, ligj ky që sipas tij, zyrtarizon gjuhën shqipe në Maqedoni. Për ish-ministrin e shëndetësisë Taravari, nuk ka dyshim se lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela është personi më i merituar për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. Në rrjetet sociale Taravari i falenderoi Selës për kontributin e dhënë në këtë drejtim.

“Dje u miratua ligji që zyrtarizon gjuhën shqipe. Ky moment u përcaktua si triumf i shumë faktorëve politikë dhe tek e fundit është i të gjithëve që gjuhën shqipe e shohin ashtu si është, gjuhë zyrtare, mirëpo më lejoni që sot të bëj atë që nuk u kujtua ta bënte askush nga pushteti aktual, të falenderoj njeriun që ishte i pari që vuri në tavolinë si Kusht, ligjin për gjuhën shqipe dhe ky njeri është Ziadin Sela.
Se shoh nëpër media që secili po i bie nga pak kraharorit për meritat e ligjit të gjuhës, sidomos ata që për shumë vjet as nuk u kujtuan për të, sidomos ata të cilët dhe këtë ligj u munduan ta gjymtojnë sa më shumë duke e kthyer në një ligj të diskutueshëm…
Gjithsesi, faleminderit Ziadin që me guxim e trimëri politike po bën ato gjëra të cilat populli gjithnjë i ka dashur dhe pushteti thjesht nuk i ka bërë, si është rasti për ligjin e gjuhës Shqipe!”, shkroi Taravari.