Takimi i Xhaferit me koordinatorët, nuk është caktuar seancë plenare as për këtë javë


Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, kryetari Talat Xhaferi po mban takim me koordinuesit e grupeve të deputetëve ku duhet të caktohet orari i aktiviteteve të Parlamentit për këtë javë. Për shkak të udhëtimeve zyrtare, Kuvendi nuk pati aktivitete plenare gjatë dy javëve të kaluara.

Grupet parlamentare sot u mblidhen në takim të rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, për të përcaktuar intensitetin e punës së ligjvënësit gjatë kësaj jave.

Kuvendi nuk ka zhvilluar asnjë seancë plenare dhe shumë pak seanca të komisioneve gjatë dy javëve të kaluara. Shumica kanë konfirmuar se koordinohen për të gjetur mekanizma për miratimin e sërishëm të ligjit pasi opozita ka bërë të qartë se nuk heq dorë nga amendamentet.

Seancë plenare nuk është caktuar, por ashtu siç thonë nga Kuvendi, përsëri nuk ka kuorum për punën e Kuvendit, pasi që disa deputetë janë në udhëtim zyrtarë në Vjenë, ka një deputete të lënduar dhe një tjetër është në pushim të lindjes.

Kanë mbetur prapa ligji për gjuhët për të cilin VMRO-DPMNE ka parashtruar 35.569 amandamente, ligjet reformuese për ndjekje të komunikimeve, ligjet për uljen e shpenzimeve për rrugë dhe të tjera. Nuk ka informata zyrtare as se si partitë do ta tejkalojnë problemin me bllokimin që e shkaktoi numri i madh i amandamenteve për Ligjin për gjuhët. Kryetari i Parlamentit Xhaferi para disa javësh tha se shpreson për një marrëveshje politike, por nëse ka rezultat nga tentimet për arritje të ndonjë marrëveshje, do të dihet pasi që do të caktohet agjenda e Parlamentit për këtë javë dhe hapat që do të ndërmerren nga ana e grupeve parlamentare.